Derbi i debutimeve ndaj Tiranës, bashkë me Kërnajën presin fitoren e parë te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2025 | 14:51

Derbi i debutimeve ndaj Tiranës, bashkë me Kërnajën presin fitoren e parë te Partizani

Partizani nuk do e ketë aspak të lehtë në derbi dhe këtë e kanë treguar pesë përballjet e fundit. Zhgënjimet me Tiranën janë sidomos dy sfidat e këtij viti, të humbura me rezultatin 3-0. Te Partizani janë pesë futbollistë, që presin fjalën e Kërnajës për të debutuar. Dy prej tyre janë titullar të rregullt, pasi bëhet fjalë për Vusal Isgandarlin dhe Arafat Doumbian.

partizani

Isgandarli nuk ka luajtur vetëm në derbin me bardheblutë gjatë këtij edicioni. Doumbia u dëmtua në debutim ndaj Vllaznisë, për këtë humbi më pas edhe derbin. Me agresivitetin e tij në mesfushë shikohet si lojtar kyç, që mund të bëjë diferencën. Diego Kontreras nuk ka nisur asnjë ndeshje si titullar te Partizani.

Nuk do të ishte çudi nëse do aktivizohej, megjithatë mundësitë janë të mëdha që të hidhet në fushë sërish si zëvendësues. Kontreras ka luajtur edhe tek ekipi B, për këtë ngarkesa në ditët e fundit është e madhe. Tedi Malaj po ashtu pret mundësinë e tij, pasi prej disa ndeshjesh qëndron në stol. Marjus Kola ndërkohë do të jetë aty, për çdo situatë që mund të krijohet me Albion Markun.

KËRNAJA- Jo vetëm pesë futbollistë, por edhe trajneri Kërnaja do provojë derbin e parë. Për të është një moment i veçantë, pasi mund të bëjë më pas llogaritë e plota pasi është përballur me çdo kundërshtar të Superiores. Partizanin e mori në vendin e parafundit, pas gjashtë javësh ku regjistrohej nisja më e dobët.

Rikuperimi i tre pozicioneve në renditje bën që në rast se vjen edhe fitorja me Tiranën, të bëhen sërish llogaritë për më tepër. Për momentin Partizanin qëndron më pranë zonës së ftohtë se asaj “Final Four”.

PRESIN MUNDËSINË PËR DEBUTIM NË DERBI – Arafat Doumbia, Vusal Isgandarli, Diego Kontreras, Marjus Kola, Tedi Malaj; Trajner: Oltijon Kërnaja

PANORAMASPORT.AL