Deklarata e Vangjel Zguros kundër Veselinoviç, reagon klubi i… Naftëtarit: Të na kërkojë falje!
Naftëtari reagon pas deklaratës së futbollistit pogradecar Vangjel Zguro. Ky i fundit, i përfshirë në një debat televiziv, ka kritikuar teknikun e shkarkuar të Partizanit, serbin Alehsandar Veselinoviç. Në kampin kuçovar, një frazë e deklaratës së futbollistit pogradecar, ka shkaktuar habi dhe njëkohësisht indinjatë

Sipas Zguros, një trajner i Naftëtarit, nuk mund të drejtojë Partizanin e Beogradit, apo Cverna Zvezdën. Nëpërmjet administratorit Niko Buçka, klubi kuçovar ka reaguar menjëherë ndaj deklaratës së Vangjel Zguros në një prononcim për “Panorama Sport”.
“E kam parë dhe e kam riparë disa herë deklaratën e futbollistit Vangjel Zguro. Normalisht, si klub, nuk kemi pse të përfshihemi në debatin Zguro-Veselinoviç. Por duke marrë shkak nga përmendja e emrit të klubit, në çfarëdo sensi, jemi të detyruar të reagojmë. Dhe këtë na e dikton historia e klubit tonë, i themeluar që në vitin 1926. Sa për kujtesë, Naftëtari ka 19 pjesëmarrje në elitën e futbollit shqiptar.
I kujtojmë këtij futbollisti, se Naftëtarin e kanë drejtuar emra të njohur të futbollit shqiptar, duke filluar që nga Sllave Llambi, Bejkush Birçe, Qamil Halluni, Fatmir Frashëri, Fatbardh Deliallisi, Luan Deliu, Vangjel Capo, Eqerem Memushi, Iljaz Haxhiraj, Petraq Bifsha, pa harruar dhe tekniket e nderuar vendas Njazi Shehu, Fiqo Duro, Xhevit Blloku, Daut Hoxha, Sofokli Vasili, Fatmir Ismaili e shumë të tjerë. Përveç trajnerëve, Naftëtari ka patur në përbërje të ekipeve kombëtare shumë futbollistë.
Pavarësisht pozicionit aktual, jemi një klub me histori dhe me drejtues të njohur të futbollit shqiptar. Është një deklaratë e papranueshme e një futbollisti me përvoje në kampionatin shqiptar. Le ta vazhdojë debatin me teknikun serb, por shpresojmë të kërkojë ndjesë për përmendjen e emrit të klubit tonë”, përfundon reagimin e tij jo pak i indinjuar administratori i K.F.Naftëtarit, Niko Buçka.
ARBEN ÇEPANI – PANORAMASPORT.AL













