Daka analizon sfidën: Vllaznia e vështirë, na duhen pikë në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2026 | 23:41

Daka analizon sfidën: Vllaznia e vështirë, na duhen pikë në shtëpi

Vora ka hyrë në fazën e fundit të kampionatit, e cila është një fazë deçizive, ku vendosen fatet e një sezoni e për këtë arsye, skuadra ka zhvilluar një program stërvitor special, për t’ju kushtuar ndeshjes së radhës asaj kundër Vllaznisë në një program të veçantë para kësaj sfide. Është një ndeshje vendimtare ku më të rëndësishmet se gjithçka mbeten pikët. Njëkohësisht edhe stafi teknik është duke punuar maksimalisht, duke ju kushtuar vëmendje edhe lojtarëve që vijnë nga dëmtimet për të parë gjendjen optimale të tyre.

daka

Edhe pse grupi është i plotë trajneri, Bellai, po shikon se cilët prej tyre do të jenë në formën optimale për këtë ndeshje e njëkohësisht për të vendosur më tej për formacionin titullar. Dy lojtarët që vijnë nga operacionet, Hasaj e Karrica po vijojnë stërvitjet e diferencuara për të qenë në radhë për ndeshjet e fundit të kampionatit, atëherë kur e ka mjaft të domosdoshme edhe ekipi Vorës në luftën e saj për mbijetesën.

Lidhur me takimin e radhës kundër Vllaznisë, Dario Daka një nga futbollistët më të aktivizuar gjatë këtij sezoni në 28 ndeshje të luajtura ka dhënë kontributin e tij, duke shënuar dy gola e dy asist e sheh si një ndeshje mjaft të vështirë përballjen me Vllazninë. Ku të rëndësishme mbeten pikët sepse luftohet për mbijetesën. “Vllaznia është një skuadër që nuk e kemi mundur dot këtë sezon e kësisoj është skuadër mjaft e vështirë.

Ne do të luftojmë për të dhënë maksimumin dhe do t’i gëzohemi qoftë edhe një pike të marrë ndaj tyre. Pavarësisht se ne do të hyjmë në lojë vetëm për fitore. Po punojmë për të qenë sa më të përgatitur për këtë takim, pasi me të gjithë shokët e skuadrës do të synojmë për të treguar vlerat tona dhe se nuk i trembemi asnjë kundërshtari për të marrë një rezultat pozitiv”, u shpreh fillimisht Daka.

Ai vazhdoi më tej duke analizuar situatën e Vorës. “Në këto situata unë mendoj se pikët janë jetike dhe skuadra është e motivuar në këtë drejtim. Vijmë nga dy ndeshje të mira, që kanë shtuar moralin dhe motivimin e shokëve tanë e mendoj se gjithçka do të vendosë fusha, pasi nuk mund të jap saktësisht një përcaktim që do fitojmë”, ka përfunduar sulmuesi vorak, Dario Daka, ardhur nga Trapani.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL