Daja mendon për Elbasanin: Tani shtohet vështirësia, duhet të jemi me më shumë këmbë në tokë
Në fund të ndeshjes, në daljen e tij para mediave, tekniku i Dinamos, Ilir Daja, pohon se pjesën e parë u vunë në vështirësi, por më pas në të dytën merituan gjithçka. Ai u ndal edhe te ndeshja e kampionatit me Elbasanin në fundjavë.
“Ishte një pjesë e parë që Erzeni luajti futboll, pavarësisht se më pas me shënimin e golave pjesa e dytë foli për ne. Na vjen mirë që u kthyem sërish te fitorja, por sigurisht na pret një ndeshje e vështirë. Pavarësisht se është një ndeshje në fushën tonë dhe ne jemi pritës, por që Elbasani e ka stadiumin e vet. E dimë që është një ndeshje e vështirë, por që do të japim maksimumin që të vazhdojmë me rezultatet apo lojërat e mira që kemi bërë deri në këtë periudhë të kampionatit”, u shpreh fillimisht Daja.
Në vijim, tekniku kryeqytetas pohoi se duhet t’i marrin gjëra hap pas hapi për të shkuar drejt objektivave finalë.
“Gjërat duhet t’i marrim hap pas hapi. Atë që kemi bërë gjysmën e parë të sezonit duhet ta ruajmë, madje besoj se koeficienti i vështirësisë është akoma më i madh, sepse tani na shohin edhe si një nga ekipet që kryesojnë. Ne duhet të jemi me më shumë këmbë në tokë, duhet të punojmë çdo ditë në mënyrë që në fund fare të bëjmë llogaritë të asaj se çfarë kemi bërë gjatë gjithë vitit”, përfundoi Ilir Daja.
PANORAMASPORT.AL













