Çmenduria në ankand, 60 mijë euro për biçikletën e Pogaçarit
Tadej Pogaçar është çiklist i një epoke, një fenomen që ndez pasion tek çdo tifoz i këtij sporti falë stilit të tij gjithmonë sulmues dhe të pamëshirshëm në çdo terren. Një kampion që po sfidon historinë dhe pritet të lërë një gjurmë të pashlyeshme në çiklizëm dhe në sportin profesionist. Kulti ndaj figurës së tij ka arritur nivele të tilla, sa çdo objekt i lidhur me të kthehet pothuajse në relike.

Sa do të ishte gati të paguante një admirues i tij për një nga biçikletat e Pogaçarit? Shumë shpejt do të kemi përgjigjen. Biçikleta “Colnago Y1Rs Stripped Black” e Pogaçarit u përdor për herë të parë në etapën e 16- të në Mont Ventoux, një ditë vendimtare për fitoren e tij në Turin e Francës 2025. Aktualisht ka dalë në ankand nga “Sotheby’s” dhe pas 66 ofertash, shifra është afruar në 60.000 euro, me më pak se 24 orë të mbetura deri në mbylljen e ankandit. Oferta më e lartë deri tani katërfishon çmimin e saj të zakonshëm në treg, që është rreth 15.000 euro.
Kjo “Colnago Y1Rs” është prodhuar me karbon të veçantë dhe bojë ultra të lehtë për të ulur peshën në etapat malore, është e pajisur me grupin Shimano Dura-Ace Di2 me 22 marshe dhe rrota “ENVE SES 4.5 Pro.Tras”.
Pas debutimit të saj në Turin e Francës, Pogaçar e përdori këtë biçikletë për fitoret e tij të radhës, si Kampionati Botëror në Ruandë, Kampionati Europian dhe në “Il Lombardia”. Një pjesë kult që mbetet për t’u parë se çfarë çmimi do të arrijë para se të mbyllet ankandi.
PANORAMASPORT.AL













