Çiklizëm/ “Zgjohet” Ayuso, dominon etapën e shtatë të Vueltës
Etapa e shtatë e Vueltës së Spanjës 2025 nisi dje me atmosferë epike në Pirenej. Nga Andorra la Vella deri në stacionin malor të Cerler-it, çiklistët kishin përpara një ditë të ashpër malore, me dy maja të kategorisë së parë dhe dy të kategorisë së dytë.

Juan Ayuso, pas dështimit të së enjtes, ishte në qendër të vëmendjes, me spanjollin që nuk zhgënjeu dhe në vetëm 24 orë përjetoi dy anët e medaljes, duke u shndërruar në një hero, për ta mbyllur me triumf etapën. Ayuso (UAE) triumfoi me shkëputje, me kohën 4:49:41, duke lënë pas në vend të dytë italianin Marco Frigo (Israel-Premier Tech) me 1 minutë e 15 sekonda diferencë dhe në vend të tretë bashkëkombësin e tij, Raul Garcia Pierna (Arkea-B&B Hotels) me 1 minutë e 21 sekonda.
GARA – Shkëputja e parë e ditës, me emra si Planckaert, Gregaard apo Thierry, nuk zgjati shumë, pasi u shpërbë nën goditjen e Port del Canto, një mal i pafund pirenaik me rreth 25 kilometra ngjitje. Pikërisht atje, Ayuso ndërmori një sulm të guximshëm, duke treguar se, pavarësisht rënies në renditjen e përgjithshme të enjten, nuk kishte ndërmend të largohej nga Vuelta pa lënë gjurmë.
Në ndjekje të tij, në momente të ndryshme, tentuan të reagonin Raul Garcia Pierna dhe Jay Vine, të cilët ishin protagonistë edhe në garën për pikët e klasifikimit malor. Shkëputja përfundimtare u konsolidua me rreth një duzinë çiklistësh me emër, mes tyre Pedersen, Quinn, Tejada, Nicolau dhe Frigo. Grupi i arratisur ruajti një epërsi rreth katër minutash, nën mbikëqyrjen e skuadrës Bahrain, që kontrollonte ritmin. Në luginë, në prag të ngjitjes finale drejt Cerler-it, tensioni ishte i prekshëm.
Diferenca nuk po binte ndjeshëm dhe favoritët po prisnin momentin e tyre, të vetëdijshëm se kjo ishte ngjitja e parë e vërtetë në lartësi për këtë edicion, një etapë që mund të sillte kthesa të mëdha në garën për fanellën e kuqe. Ayuso, i lodhur, por me krenari, qëndronte ende përpara, ndërsa grupi kryesor filloi të shtrihej gjithnjë e më shumë.
NJË FUND DRAMATIK – Me shpatet e Cerler-it, Vuelta hyri në fazën vendimtare. Jay Vine rriti ritmin 12 kilometra nga fundi, në të njëjtin moment kur Ayuso sulmoi, ndërsa Frigo u përpoq ta ndiqte. Ishte çasti kyç për të provuar gjithçka, sepse pas tyre Visma po shtonte ndjeshëm ritmin dhe diferenca kishte rënë në vetëm 3 minuta.
Por askush nuk mundi ta kapte çiklistin e UAE-së, i cili festoi triumfin e merituar në finish. Për sa i përket renditjes së përgjithshme, norvegjezi Torstein Traeen (Bahrain-Victorious) mban fanellën e kuqe të liderit me 2 minuta e 33 sekonda avantazh nga danez Jonas Vingegaard (Visma). Sot do të jetë radha për etapën e tetë, Monzon Templario – Zaragoza (163.5km), një garë e karakterit fushor.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













