ÇIKLIZËM/ Vuelta, Jay Vine dhuron shou në etapën e gjashtë
Spektakël malor dhe emocione të forta në etapën e parë të madhe malore të Vueltës së Spanjës 2025, që përfundoi ditën e djeshme në majën Pal, në Andorrë.
Fitorja në etapën e gjashtë shkoi për australianin Jay Vine (UAE Team EmiratesXRG), i cili realizoi një solo të shkëlqyer dhe siguroi triumfin e tretë personal në këtë edicion të turit spanjoll. Etapa nisi në Olot dhe përfshinte mbi 170 kilometra në zemër të Pirenejve. Një grup çiklistësh u shkëputën që në fillim, ku spikatnin emra si Pablo Castrillo (Movistar), Lorenzo Fortunato (XDS Astana), Louis Vervaeke (Soudal QuickStep) dhe Archie Ryan (EF Education-EasyPost).
Ky grup arriti një avantazh prej gati 6 minutash, ndërsa grupi kryesor, i kontrolluar nga Visma-Lease a Bike dhe Decathlon-Ag2r, nuk zhvilloi ndonjë ndjekje serioze. Jay Vine, i cili jeton në Andorrë prej vitesh, tregoi ambicie që në kilometrat e para, duke kaluar i pari në dy ngjitje të rëndësishme dhe më pas realizoi sulmin vendimtar në maloren La Comella. Nga aty, nisi një ecuri e vetmuar drejt majës Pal, me një ritëm të pandalshëm që s’iu përgjigj askush.
Ngjitja përfundimtare prej 9.6 kilometrash me një mesatare 6.3% pjerrësi, nën reshje shiu dhe mbështetjen e zjarrtë të tifozëve andorranë, u shndërrua në pasarelën triumfale të Vine, i cili kaloi finishin me krahë të ngritur, një rikthim historik i kësaj maje në Vuelta, pas plot 15 vitesh që nga fitorja e Igor Anton në 2010-ën. Pas këtij triumfi, Vine mori gjithashtu fanellën me pika të bardha si lider i klasifikimit për maloren, duke e kaluar në pikë Louis Vervaeke, i cili pavarësisht përpjekjeve, nuk ia doli të ruante avantazhin.
GODITJE PËR UAE, AYUSO NË KRIZË Pavarësisht suksesit të Vine, skuadra UAE Emirates mori edhe një goditje të rëndë. Juan Ayuso, një prej pretendentëve për fitoren finale, nuk i përballoi ritmet në ngjitjen përfundimtare dhe u shkëput herët, duke humbur minuta të çmuara në renditjen e përgjithshme. Kjo i jep avantazh Jonas Vingegaard, që ruajti qetësinë dhe kontrollin mes favoritëve, ndërsa Joao Almeida mbetet në ndjekje, dhe Giulio Ciccone po konfirmon formën e shkëlqyer, duke qenë një nga emrat më aktivë në këtë edicion.
Pas etapës së gjashtë Vuelta ka një lider të ri dhe ai është norvegjezi Torstein Traeen. 30-vjeçari i skuadrës “Bahrain-Victorious” mori fanellën e kuqe, ndërsa kryeson renditjen e përgjithshme me 31 sekonda avantazh nga francezi Bruno Armirail dhe me 1 minutë e 1 sekondë nga italiani Lorenzo Fortunato. Sot do të jetë radha për etapën e shtatë, Andorra la Vella – Cerler. Huesca La Magia (188 km).
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













