ÇIKLIZËM/ Turi i Kosovës, Anxhaku: Shqipëria do vendin e parë
Pas një kalendari të ngjeshur më gara, Shqipëria e çiklizmit është gati për aktivitetin e radhës. Kombëtarja Kuqezi do të marrë pjesë në Turin e Kosovës 2025, aktivitet që do të mbahet për tri ditë me radhë, duke nisur nga sot. Bëhet fjalë për një eveniment zyrtar ndërkombëtar, pjesë e kalendarit të garave të UCIt.

Në prag të këtij kompeticioni, Skënder Anxhaku, president i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, ka folur për objektivat dhe pritshmëritë e ekipit tonë në eventin e Kosovës. “Kombëtarja jonë u organizua dy ditë më parë dhe u nis drejt Kosovës me 6 çiklistë, me drejtorin teknik dhe me trajnerin. Shqipëria shkon me objektivin për ta fituar Turin e Kosovës, një kompeticion ku do të marrin pjesë 15 ekipet shumë të forta. Për këtë garë kemi edhe një rikthim të rëndësishëm, pasi Kombëtares i është bashkuar edhe Lukas Kloppenborg.
Kemi një ekip shumë të mirë që ka shkuar në Kosovë për të fituar dhe nëse arrijmë që ta fitojmë këtë event, atëherë do të jetë një sukses i madh edhe për shtetin shqiptar, për Komitetin Olimpik si dhe për Federatën Shqiptare të Çiklizmit. Mendojmë që ekipi është i përgatitur, të gjithë djemtë kanë qenë nëpër aktivitete me skuadrat e tyre”, shprehet Anxhaku në prononcimin e tij për “Panorama Sport”.
Më tej, kreu i dyrrotakut shqiptar, flet për aktivitetet e FSHÇ-së gjatë këtij viti dhe rezultatet: “Kemi pasur një vit me aktivitete të shumta, te cilat i dini shumë mirë, pasi janë pasqyruar në gazetën ‘Panorama Sport’. Dua të theksoj Rrethin Çiklistik të Shqipërisë, një garë me 18 ekipe të huaja, me 112 çiklistë, ku Kombëtarja jonë zuri vendin e dytë, duke na munguar një nga çiklistët tanë kryesorë, Lukasi, i cili ishte me provime. Humbëm vendin e parë me vetëm 2 minuta”.
Në fund Anxhaku tregon edhe ndalesën e radhës pas Turit të Kosovës, me Shqipërinë që do të pedalojë në Kampionatin Europian, ndërsa nuk harron të falenderojë të gjithë partnerët e federatës: “Pas Turit të Kosovës kemi një nga garat më të fortë, Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Francë më datën 3 tetor. Jemi të përgatitur për të marrë pjesë me ekipin elitë dhe U23, madje do të çojmë edhe një djalë të ri nga Shqipëria, Leo Pikun, të cilin e kam mbështetur edhe personalisht duke e dërguar në Sarandë për fazë përgatitore. Mendojmë që edhe ky çiklist i talentuar të marrë pjesë për herë të parë në Europian. Gjithashtu do të marrin pjesë edhe dy vajza. Me ketë rast dua të falenderoj të gjithë partnerët tanë, për mbështetjen që na kanë dhënë, duke nisur nga ministria, Komiteti Olimpik, Policia e Shtetit dhe ju si media”, përfundon prononcimin e tij, Skënder Anxhaku.
PAMJET NGA GRUPI I SHQIPËRISË: (VIDEO)

PANORAMASPORT.AL













