ÇIKLIZËM/ Pas Shqipërisë, Xhiro e Italisë nis nga Bullgaria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2025 | 11:40

ÇIKLIZËM/ Pas Shqipërisë, Xhiro e Italisë nis nga Bullgaria

Ministri i Turizmit të Bullgarisë, Miroslav Borshosh, ka njoftuar në mënyrë të papritur gjatë një deklarate zyrtare se edicioni i vitit 2026 i garës prestigjioze të çiklizmit “Giro d’Italia” do të nisë nga Bullgaria.Pas nisjeve nga Hungaria në vitin 2022 dhe Shqipëria në vitin 2025, organizatorët e “Giro”-s kanë zgjedhur Bullgarinë si vendin pritës për tri etapat e para të edicionit të ardhshëm. Lajmi është bërë i ditur nga media lokale “Pronews Dobrich”, e cila ka raportuar mbi deklaratën zyrtare të ministrit Borshosh. Sipas tij, vendimi ka ardhur pas takimeve intensive me ministrin bullgar të Sportit, Ivan Peshev, i cili ka konfirmuar se negociatat me organizatorët e garës janë në fazën përfundimtare.

Sipas planit, gara do të përshkojë një pjesë të madhe të territorit bullgar, përfshirë kryeqytetin Sofje dhe zonat përreth, të cilat pritet të jenë skena kryesore të etapave të para.

“Qeveria jonë ka miratuar propozimin e përbashkët të ministrive të Turizmit dhe Sportit për përmbylljen e negociatave për të pritur këtë ngjarje madhore sportive. Jemi përballur me konkurrencë të fortë nga shumë vende të tjera. ‘Giro d’Italia’ e vendos Bullgarinë në hartën globale të turizmit dhe e shndërron atë në një destinacion të njohur ndërkombëtarisht. Kjo do të ketë ndikim shumë të madh pozitiv për imazhin e vendit tonë,” deklaroi Borshosh.

Mësohet Bullgaria ka triumfuar në garën për pritjen e nisjes së Xhiros së Italisë, duke fituar garën ndaj kandidatëve të fuqishëm, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat fillimisht konsideroheshin favorite. Kjo do të jetë hera e pestë që “Giro d’Italia” nis jashtë territorit italian gjatë dhjetë viteve të fundit, pas nisjeve nga Apeldoorn (Holandë, 2016), Jeruzalem (Izrael, 2018), Budapest (Hungari, 2022) dhe Durrës (Shqipëri, 2025).

Unioni Çiklistik Ndërkombëtar (UCI) ka njoftuar më parë se edicioni i vitit 2026 të Xhiros së Italisë do të nisë më 9 maj (e shtunë) dhe do të përfundojë më 31 maj (e diel), por starti mund të zhvendoset më herët, më 8 maj (e premte), për të përballuar më mirë sfidat logjistike që sjell një nisje jashtë Italisë. Kujtojmë që “Nisja e Madhe 2025”, me tri etapat e para të Xhiros së Italisë që u zhvilluan në Shqipëri, rezultoi shumë e suksesshme, sidomos në aspektin e marketingut, duke e promovuar vendin tonë në një nga evenimentet më prestigjioze botërore të sportit, ndërsa tashmë këtë strategji po e ndjek edhe Bullgaria.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL