Çiklizëm/ Evenepoel tregon forcën në krono, merr medaljen e artë edhe në Europian
Nuk pati surpriza gara e kronometrit individual në Kampionatin Europian të çiklizmit. Remko Evenepoel, në mungesë të Tadej Pogaçarit, pritej të fitonte kronometrin për meshkuj në kategorinë elitë që po zhvillohet në Francë nga data 1 deri më 5 tetor, dhe ashtu ndodhi.

Belgu dominoi plotësisht 24 kilometrat mes Loriol-sur-Drôme dhe Étoile-sur-Rhône, duke ia dalë të lërë pas me 43 sekonda një specialist të vërtetë si italiani Filipo Gana, i cili përfundoi i dyti. Një diferencë e jashtëzakonshme për një distancë kaq të shkurtër, në një itinerar që nuk favorizonte diferenca të mëdha, aq më tepër me erën përballë në segmentin e fundit. Evenepoel e ndali kronometrin në 28 minuta e 26 sekonda, duke regjistruar shpejtësi mesatare 50.634 km/h gjatë garë.
Ai ishte çiklisti i fundit që u nis, por arriti të kapë përpara finishit Stefan Kung, i cili kishte startuar një minutë më herët. Lodhja nga performancat e tij në Kigali, ku fitoi kronometrin dhe u rendit i dyti në garën e rrugës, nuk ndikoi aspak për belgun. I veshur me fanellën e kampionit botëror, Evenepoel e përforcoi statusin e favoritit dhe triumfoi përballë rivalëve që në letër dukeshin më të përshtatshëm për itinerarin.
Falë kësaj medaljeje të artë, Remko Evenepoel është aktualisht kampion në kronometër i Belgjikës, i Europës, i botës dhe olimpik. Ai nuk e kishte fituar titullin europian që nga viti 2019, kur mposhti Kasper Asgren dhe Edoardo Afinin. Këtë herë, në podium përkrah Evenepoel dhe Gana, u ngjit edhe danezi Niklas Larsen, me një kohë 1 minutë e 8 sekonda larg belgut.

PANORAMASPORT.AL













