ÇIKLIZËM/ Evenepoel kërcënon Pogaçarin: Gati për të marrë fronin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2025 | 11:28

ÇIKLIZËM/ Evenepoel kërcënon Pogaçarin: Gati për të marrë fronin

Remco Evenepoel ka që tani në mendje Turin e Francës 2026. Belgu, i cili pas një jete të tërë te “Soudal Quick-Step” ndërron skuadër dhe po përgatitet të veshë për herë të parë fanellën e “Red Bull-Bora Hansgrohe”, me një ide të qartë: të fitojë eventin më prestigjioz të çiklizmit.fgfdh“Po, mund ta fitoj Turin e Francës 2026. Nëse gjithçka shkon mirë, nëse kam një dimër të mirë, stërvitem siç duhet dhe arrij formën që kërkoj në garat e pranverës… Nëse në ‘Volta a Catalunya’ tregoj se jam në nivel për të fituar, ashtu siç bëra në 2023-shin përpara Xhiros së Italisë, besoj se mund të arrij atë nivel”, rrëfen Evenepoel për “Sporza”.

Projekti i ri i Red Bullit i jep Evenepoelit rol lideri, ndonëse do ta ndajë atë me Florian Lipowitz, por kjo nuk e shqetëson aspak: “Shpresoj që unë dhe Lipowitz të mos kemi një betejë si Norris dhe Piastri te MekLareni në Formula 1. Nëse i përmbahemi planit, duhet të mendojmë vetëm për përfitimet. Florian dhe unë jemi çiklistë shumë ambiciozë, por të ndryshëm. Unë jam më eksploziv, ndërsa ai është shumë i fortë në ritëm të lartë. Jemi si dy pole të kundërta, por së bashku mund të funksionojmë shumë mirë. Duhet të plotësojmë njëri-tjetrin dhe të punojmë për objektivin e madh të skuadrës: të fitojmë një ditë Turin”.

Ambicia nuk i mungon aspak. Kampioni i “La Vuelta 2023” nuk e fsheh dëshirën për të rrëzuar nga froni sllovenin që dominon çiklizmin. “Dua të jem më i mirë se Pogaçar. Është shumë e vështirë, por për këtë kam ardhur këtu, për të bërë atë hap përpara dhe për ta kaluar. Do të kërkojë shumë punë, por jam jashtëzakonisht i motivuar dhe kisha nevojë për këtë ndryshim për të thyer limitin tim. Shpresoj të arrij suksese të mëdha në vitin 2026. Nëse Pogaçar sulmon, mund ta ndjek për pak kohë, por jo gjatë, dhe pikërisht aty duhet të punoj”.

Në moshën 25- vjeçare, Evenepoel vazhdon të kërkojë pjekurinë e plotë që do ta afrojë me ëndrrën e fanellës së verdhë. Ai e di çfarë do të thotë të fitosh një garë të madhe, por edhe sa e dhimbshme është ta humbasësh atë. “Më dhembi shumë tërheqja nga Xhiro 2023 për shkak të COVID-it. Kishim një avantazh të madh dhe plani ynë kishte funksionuar në mënyrë perfekte deri atëherë. Po ta kisha fituar, tani do të kisha në palmares Vueltën dhe Xhiron, do të më mungonte vetëm Turi për të mbyllur objektivin tim të madh. Por ende më mungojnë dy nga garat e mëdha”. Belgu flet me qetësinë e dikujt që e ka prekur lavdinë dhe me ambicien e atij që ende e ndjek atë. Në vitin 2026, me demin e Red Bullit në kraharor, Remco Evenepoel dëshiron ta shohë Tadej Pogaçarin ballë për ballë, jo më nga goma e tij e biçikletës.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL