Canaj i tradhtuar nga drejtuesit, në Shkodër dyshojnë se…
Vllaznia mbetet në kaos. Trajneri Agim Canaj ka udhëtuar drejt Anglisë për të vizituar vajzën e tij, ndërsa ka lënë mbrapa kërcënimet e rënda që ka marrë në Shkodër. Drejtuesit e klubit, duke përfituar edhe nga pushimi në kalendar që kishin javën e kaluar, i kanë dhënë pak ditë pushim teknikut kuqeblu.

Nuk dihet nëse ai i kishte prerë përpara biletat për këtë udhëtim apo vendosi që të largohej pas ngjarjeve të shëmtuara, ku ra pre e kërcënimeve nga persona të ndryshëm në Shkodër. Canaj nuk i ka ditur mirë problematikat që kanë shoqëruar edhe paraardhësit e tij.
Gjithsesi, tani problemi është nëse tekniku vlonjat i kuqebluve do të rikthehet sot në Shkodër apo jo. Nga burime pranë klubit mësohet se ai fillimisht do të rikthehet sot në Shqipëri dhe më pas do të vazhdojë të punën në krye të Vllaznisë.
DYSHIMET
Por, burime të tjera pranë teknikut bëjnë të ditur se Canaj mund të mos kthehet më për të drejtuar kuqeblutë. Nga sa mësohet, vendimi i tij që të largohet nga drejtimi i Vllaznisë, më shumë sesa nga kërcënimet që ka marrë, mund të vijë më shumë për faktin se është ndierë i tradhtuar nga drejtuesit më të lartë të klubit.

Përpara se të pranonte ofertën për të drejtuar Vllazninë, ai është garantuar se ka vetëm pak probleme të vogla, por të parëndësishme, duke mos i treguar realitetin se çfarë ndodh me kërcënimet që kanë marrë edhe paraardhësit e tij. Burime të sigurta në klub kanë bërë të ditur se Canaj është kërcënuar rëndë në dy raste, përpara dhe pas ndeshjes me Besëlidhjen ku i është kërkuar përfshirja në ekip e lojtarëve të veçantë. Canaj erdhi me shumë dëshirë pranë Vllaznisë, por menjëherë në deklarimet e tij është parë i mërzitur dhe i zhgënjyer nga ajo që ka gjetur në këtë skuadër.
DREJTUESIT
Nga ana e tyre, mësohet se drejtuesit e klubit do të mblidhen edhe sot për të diskutuar për shqetësimet që shfaqi tekniku pak ditë më parë. Ata kanë ndërmarrë një vendim të tillë, por me sa duket pritet ardhja e drejtorit sportiv, Engin Firat, që t’ua bëjnë të ditur edhe vetë protagonistëve.

Kjo mund të ndikojë jo pak edhe në vendimin që mund të marrë trajneri Agim Canaj për vazhdimësinë e tij. Gjithsesi, tashmë gjithçka është në duart e drejtuesve të klubit, të cilët duhet që të saktësojnë gjërat për të ardhmen e teknikut dhe klubit të tyre. Duhet thënë se situata te Vllaznia është shumë dramatike, ndërsa ekipi nuk është stërvitur thuajse fare gjatë javës së kaluar. Vllaznia do të luajë fundjavën e ardhshme ndeshjen e radhës në Shijak.
ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL













