Bylisi vendos për afrimet, katër të tilla brenda pak ditësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2025 | 21:30

Bylisi vendos për afrimet, katër të tilla brenda pak ditësh

Te Bylisi priten katër afrime, me të cilat skuadra do të kompletohet dhe do të synojë të hyjë në garë mjaft e konsoliduar. Krahas stërvitjeve me dy seanca në stadium, por edhe në kompleks, kryefjala në Ballsh është merkato.

Bylis

Presidenca ballshiote po tenton elementë cilësorë dhe sytë i ka hedhur nga tregu ballkanas, por edhe ai afrikan. Ndërkohë që bisedimet me elementë cilësorë dhe me eksperiencë nuk kanë munguar. Në Ballsh presin një portier, një lojtar anësor, një mesfushor dhe një sulmues. Këta futbollistë, nëse zyrtarizohen së shpejti do t’i japin tjetër “look” ekipit të sezonit të ri, që do të hyjë në garë me ambicie edhe më të mëdha.

Në Mallakastër janë duke projektuar një ekip mjaft cilësor dhe shumë më të fortë se ai i kampionatit të shkuar. Drejtuesit duan që të bëjnë disa lëvizje, edhe duke shitur ndonjë nga titullarët. Gjithsesi, pritet që brenda javës që vjen të ketë prezantime në hyrje dhe skuadra të marrë formën e duhur. Në Ballsh janë duke u stërvitur rreth 40- të lojtarë.

Gradualisht klubi ka nisur të ideojë edhe ekipin B, që duket se do të jetë shumë cilësor në sezonin e ardhshëm, madje duke synuar që të ngjitet edhe një kategori më lart, pasi disa elementë nga skuadra e parë mund të luajnë aty.

Klubi është kështu në rrugën e duhur për sezonin e ri. Mallakastriotët, duket se kanë hedhur baza të shëndosha nga edicioni i shkuar, ndaj edhe presidenti Besnik Kapllanaj ka projektuar një Bylis shumë ambicioz për sezonin që nis pas një muaji. Madje, njëkohësisht ai po punon edhe për stafin e ri, ku kandidaturat e huaja, por edhe trajnerë të spikatur vendas, janë në “pole” për drejtimin e Bylisit.

ERION SALIU – PANORAMASPORT.AL