Bylisi synon rezultat edhe ndaj Flamurtarit, Josa i fokusuar te rikthimi i titullarëve
Bylisi luan një tjetër sfidë delikate, atë ndaj Flamurtarit, takim që do të zhvillohet nesër në stadiumin “Flamurtari”. Ballshiotët do të jenë në ndeshjen e dytë radhazi jashtë fushe, ndërsa trajneri Josa dhe stafi i tij kanë punuar shumë në aspektin psikologjik, por edhe në atë teknik-taktik me skuadrën.

Ballshiotët do të kenë gati edhe Marin Abazajn, i cili rikthehet nga pezullimi, teksa Bruno dhe Malomo, që luajtën ndaj Tiranës, duket se e kanë kapur formën optimale. Në këtë fazë të kampionatit, mallakastriotët synojnë të grumbullojnë sa më shumë pikë. Megjithatë, për këtë ndeshje, Bylisi pritet të ketë mungesa, dhe bëhet fjalë për një nga lojtarët më të rëndësishëm të sezoneve të fundit, anësorin e linjës së djathtë, Aboubakar Kamara, i cili kontribuon si në ofensivë ashtu edhe në difensivë te mallakastriotët dhe ka spikatur në vitet e fundit me fanellën bardhekuqe si një nga lojtarët më të dalluar edhe në Superiore.
Gjithsesi, alternativat nuk mungojnë në linjën e djathtë, pasi po japin shumë mirë edhe Kane dhe Marku, që është në formë mjaft të mirë. Ndaj, ballshiotët do të kërkojnë një rezultat pozitiv edhe në Vlorë, në një duel me një tjetër rival në betejën për mbijetesë. Nga ana tjetër, në klub kërkojnë që skuadra të jetë me “këmbë në tokë”, pasi sfida vendimtare dhe të rëndësishme janë ende në radhë.
Sulmi dhe golat te Bylisi kanë ardhur nga Malomo, Përgjoni dhe Marku, që nuk janë sulmues të mirëfilltë, por kanë aftësi sulmuese të spikatur. Gjithashtu, shumë shpresohet te Mustafa, i cili ka hyrë nga stoli edhe ndaj Tiranës, ndërsa Sanogo dhe Uankuai janë dy forca të mëdha në ofensivë. Tashmë, Josa pret të shohë performancën e tyre, ndërsa skuadra do të jetë më e çlirët, aq më tepër që ka marrë dy fitore shumë të rëndësishme në dy ndeshjet e fundit ndaj Vorës dhe Tiranës. Kontingjenti premton dhe, për më tepër, presioni është duke u menaxhuar me kujdes nga stafi i klubit, në mënyrë që skuadra të mos i mungojë asgjë në këtë periudhë të rëndësishme.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













