Bylisi në krizë, tani dueli me Teutën kthehet në “jetë a vdekje”
Bylisi pësoi një disfatë me Skënderbeun në “Adush Muça”, teksa u mund 0-3, në një duel shtëpie, me një rival direkt në luftën për mbijetesë.

Ballshiotët nuk e kishin menduar as vetë se sfida do të kishte atë rrjedhë, madje as se do mundeshin thellë në fushën e tyre. Pozitat e Bylisit tashmë janë ndërlikuar dukshëm, teksa ballshiotët futen në një situatë aspak normale në renditje. I vetmi ngushëllim mbetet sfida e radhës që do ta luajnë në shtëpinë e tyre, teksa presin Teutën, një tjetër rivale direkte.
Fitorja me durrsakët mban gjallë shpresat e skuadrës mallakastriote për mbijetesë. Ndeshja do të luhet të enjten në “Adush Muça”, në orën 13:30. Në Ballsh kanë mungesa dhe rikthime, pasi do të jetë gati Kamara, një nga më të mirët, që mungoi për shkak kartonësh ndaj Skënderbeut. Kurse mesfushori shtatlartë Arli Përgjoni plotësoi numrin katër të kartonëve me korçarët, të dielën në Ballsh.
Dje Bylisi ka zbritur në fushë, sepse nuk ka shumë kohë për sfidën e radhës që është po aq e rëndësishme sa dueli i fundjavës së kaluar me korçarët. Për të mbetur në “vallen” e mbijetesës bëjnë punë vetëm 3 pikët me Teutën. Në tri sfidat e luajtura në fazën e parë, të dytë dhe të tretë, durrsakët i kanë mundur ballshiotët në Durrës 2-1, i mundën në Ballsh 4-0 në fazën e dytë dhe në fazën e tretë në “Niko Dovana”, sfida përfundoi 0-0, ndërsa kjo ndeshje mund të jetë vendimtare edhe për mbijetesën.
Bylis tashmë luan edhe 9 finale në kampionat. Me 27 pikë në lojë, por edhe me dy ndeshje shtëpiake në fazën e katërt me skuadra, si: Teuta e Laçi, duket se e kanë vetë në dorë fatin e tyre për mbijetesën në Superiore. Kalendari u ka buzëqeshur, pasi edhe rivalët e tyre kanë bërë hapa false. Por tashmë, kur edhe nis faza finale, duket se Bylisi duhet që të tregohet sa më i kujdesshëm…
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













