Bylisi kërkon ti prish festën kuqebluve, Abazaj: Sfidë delikate, do të japim maksimumin
Bylisi ka përfunduar seancën e djeshme dhe direkt është grumbulluar për sfidën me Vllazninë, të cilën do e luajë sot në orën 14:00, në “Adush Muçaj”. Mallakastriotët do të synojnë fitoren dhe për këtë kanë punuar për më shumë se 10 ditë duke përgatitur edhe nga pauza e kampionatit.
Presidenca i ka qëndruar në kokë skuadrës në seancat e fundit, ndërsa stafi dhe lojtarët kanë pasur angazhim maksimal. Vllaznia vjen në Ballsh si një nga ekipet më në formë të elitës, megjithatë Bylisi ka një mjeshtër si Mirel Josa në stol, që i di në pëllëmbë të dorës se si janë ekipet shqiptare, për më tepër që tiranasi ka qenë edhe në krye të shkodranëve në periudha të ndryshme. Kapiteni Marin Abazaj ka besim se Bylisi sot do të rikthehet te fitorja, për më tepër që luan në shtëpi.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Marin Abazaj ka pohuar se ekipi i tij është gati. “Luajmë një ndeshje delikate pasi Vllaznia është nga skuadrat më të forta, me kualitete dhe me eksperiencë. Vijmë nga një disfatë në Durrës dhe duhet që të bëjmë autokritikën në shtëpinë tonë. Do të ishte mirë që ta rikthehemi te fitorja, pasi Vllazninë e kemi mundur edhe vjet në Ballsh. Ndryshojnë ndeshjet nga ndeshjet, por edhe skuadra nga skuadra. Jemi dy ekipe me shumë pak lëvizje, kështu që pak a shumë e kemi një ide se si t’i ngremë kurth Vllaznisë në “Adush Muçaj”. Jemi thuajse të plotë dhe kjo është shumë pozitive sidomos në një duel si ky me kuqeblutë. Të gjitha ndeshjet janë të forta, ne sot duhet që të futemi në fushën e blertë dhe të japim mbi mundësitë tona”,- tha Marin Abazaj, kapiteni i Bylisit përpara sfidës me Vllazninë që luhet sot në Ballsh.
FORMACIONI – Bylisi luan një duel mjaft të fortë në “Adush Muçaj, pasi pret një nga ekipet në formë në fushën e vet siç është Vllaznia. Mallakastriotët kërkojnë 3 pikët, e fortë në dukje, por jo e pamundur, për më tepër që skuadra e Mirel Josës ka treguar se di të jetë edhe më e fortë me më të fortët. Ndaj edhe në fushë sot pritet që të përzgjedhë më të mirët dhe lojtarët më në formë.
Ka dyshime pasi mungon Përndreca majtas, ndërsa mund të luajë një mes Peraltës, Markut apo Koxhit. Po ashtu edhe Kamara që ka qenë i grumbulluar me Nigerin, vjen nga probleme shëndetësore. Gjithsesi, Josa dhe stafi i tij e kanë një ide për lojtarët me të cilët Bylisi mund të zbresë sot në fushën e blertë…
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













