Bylisi ka përparësi mbijetesën, ndaj Egnatias për “nxemje”
Bylisi e ka “harruar” shpejt fitoren e javës së fundit të kampionatit me Partizanin, që ia ka përmirësuar ndjeshëm pozitat në tabelën e klasifikimit. Askush nuk e priste që kjo skuadër të fitonte në fushën e të kuqve dhe aq më tepër në momentin që rezultati shkoi në 2-0 për kryeqytetasit.

Ajo përmbysje spektakolare u ka treguar mallakastriotëve se mund të fitojnë ndaj çdo kundërshtari dhe në çdo fushë.
EGNATIA – Përpara është ndeshja me Egnatian, e vlefshme për çerekfinalen e kthimit në Kupën e Shqipërisë. Ballshiotët janë mundur 1-3 në fushën e tyre në ndeshjen e parë, por kjo nuk do të thotë se ata do të zbresin në fushë të dorëzuar nesër në Rrogozhinë.
Përderisa mundën Partizanin, te skuadra e trajnerit Gentian Mezani ka besim se mund të merret rezultat pozitiv edhe ndaj kampionëve në fuqi të Superiores, por kuptohet që përparësi për Bylisin ka kampionati. Në këtë situatë, ndeshja e nesërme në Kupë do të jetë në funksion të kampionatit.
DY SFIDA VENDIMTARE – Mallakastriotët në kampionat kanë një kalendar që flet në favor të tyre, por ndeshjet fitohen vetëm në fushë dhe kërkojnë shumë kujdes, siç është rasti i Skënderbeut në fundjavë. Korçarët janë të fundit në renditje, por mund të bëjnë keq, nëse nuk vlerësohen drejt.
Më pas në Ballsh do të vijë Teuta dhe këto dy sfida në një farë mënyre do të vendosin për fatet e sezonit të Bylisit. Me dy fitore të mundshme në këto 180 minuta, ballshiotët do të shtonin ndjeshëm shanset e qëndrimit në elitën e futbollit shqiptar, sepse do të godisnin dy rivalë direkt. Nga skuadra është larguar së fundi portieri Klevis Hasanbelli, megjithatë Bylisi ka një organikë të pasur për të përballuar me sukses pjesën e mbetur të sezonit. Vendin e titullarit të portës e ka marrë braziliani Toni Batista, i cili ka bërë paraqitje të mira këto javë.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













