Bylisi “gjithçka për gjithçka” në Shkodër, Josa kërkon fitore të rëndësishme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2025 | 20:14

Bylisi “gjithçka për gjithçka” në Shkodër, Josa kërkon fitore të rëndësishme

Në Ballsh, sfida e së dielës në Shkodër është kthyer në kryefjalë, për vetë rëndësinë që ka kjo transfertë, por edhe për nevojën për pikë të mallakastriotëve këtë periudhë. Bylisi ndodhet në pozita jo komode, kur është luajtur më pak se gjysma e garës, por ballshiotët kanë treguar me lojën e deritanishme se janë një ekip simpatik dhe në gjirin e tyre kanë djem që spikasin: të rinj të talentuar, por edhe me eksperiencë, vendas dhe të huaj.

bylis

Pa përmendur që në krye kanë një nga trajnerët më të spikatur në futbollin shqiptar, Mire Josa, me shumë eksperiencë dhe më shumë trofe se kolegët e tij në vendin tonë. Jo më kot, edhe trajneri Josa bën pjesë në anketën për trajnerin më të mirë, ashtu si edhe Fabjan Përndreca është vlerësuar si talenti i vitit 2025 nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Megjithatë, e tërë vëmendja është e përqendruar te sfida që do të zhvillohet të dielën në Shkodër. Klubi mallakastriot i futbollit do të ketë një javë të ngjeshur, sepse janë sfida mjaft delikate. Krahas takimit në Shkodër, që shihet me shumë prioritet, në Ballsh kanë edhe dy sfida të tjera delikate: ekipi B luan në Orikum, kurse U-19 në Laç.

Skema mund të pësojë ndryshime në “Loro Boriçi”, edhe pse skuadra funksionoi mjaft mirë ndaj Teutës. Me dy forca më shumë në krah, siç janë Peralta dhe Kamara, Josa mund të ketë luksin të zgjedhë si për formacionin e 11-shes, ashtu edhe për ata që do të luajnë si zëvendësues. Në një transfertë kaq të rëndësishme, prania e çdo lojtari e bën më të qetë edhe stafin teknik.

Ballshiotët në sfidat që kanë luajtur në Shkodër në të shkuarën kanë pasur fat, madje kanë marrë pikë, por edhe kanë dalë me fitore. Të njëjtën gjë do të tentojnë edhe ditën e diel, ku do të luajnë “gjithçka për gjithçka”. Skuadra është në grumbullim prej ditës së hënë, ndërsa djemtë po zbatojnë me përpikmëri programin stërvitor.

“Dozat” e ngarkesës janë në ulje, duke qenë se vjen edhe periudha e pauzës së festave. Ndërkohë, mallakastriotët stërviten në kompleks, ku nuk lënë pas dore as ushtrimet në palestër, sidomos ata lojtarë që janë në periudha riaftësimi, ashtu siç është parashikuar në programin e trajnerit Mirel Josa dhe stafit të tij.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL