Bylisi e di çfarë i nevojitet, problemi janë golat me “pikatore”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2025 | 21:53

Bylisi e di çfarë i nevojitet, problemi janë golat me “pikatore”

Bylisi është duke u përgatitur për transfertën me Egnatian, me mallakastriotët që duket se do të synojnë surprizën. Trajneri Mirel Josa ka nisur bashkë me stafin dhe skuadrën seancat sipas programit të prag-ndeshjeve, ndërsa grupi në Rrogozhinë deri tani duket i plotë.

bylis

Nga sot, trajneri Josa do të mendojë për skuadrën që do të hedhë në fushë në sfidën e 22 nëntorit në Rrogozhinë, teksa kjo duket transferta më e vështirë, me kampionët në fuqi të vendit. Nga ajo që duket deri tani, djemtë mallakastriotë janë me moral të lartë, ndërsa edhe testet e zhvilluara kanë treguar një gjë të tillë, ku kryepankina ka marrë sinjale pozitive. Ajo që bie në sy është konkurrenca për një vend titullari. Në formë duket edhe sulmuesi Uankeuai, që në vijim pritet të jetë alternativë kryesore, duke qenë se në ekip ka munguar lojtari gol deri më tani.

SULMI – Bylisi ka një shpërndarje të shënuesve e madje tashmë kur kanë kaluar 11-javë nga starti i këtij sezoni, golat në skuadrën mallakastriote kanë pasur një shpërndarje, ku kanë rënë në sy: Marku, Koxhi, Malomo, Përgjoni e Ualison. Golavarazhi është 11-11, por që skuadra duket se edhe pse ka shënuar më shumë edhe se disa ekipe pretendente ka pësuar një numër jo të vogël golash. Këtë është përpjekur qe të riparojë edhe këto ditë Josa bashkë edhe me stafin e tij, për më tepër që reparti difensiv, ndryshe nga javët e para ka fituar stabilitet të dukshëm.

Por sulmi si repart mbetet me “firo” në bilanc sepse Ualison ka realizuar dh fola, kurse Mustafa ende nuk e ka gjetur rrjetën, apo dhe Sanogo, Akibu, Rabiu, të cilët kanë luajtur pak në krahasim me pjesën tjetër të skuadrës. Te Bylisi mbetet për t’u parë në vijim edhe paraqitja e sulmuesit me eksperiencë Runi Uankeuai. Ajo që bie në sy është se ballshiotët kanë një organikë të mbipopulluar, madje duke bërë edhe diferencë në këtë aspekt me rivalët. Madje duke pasur shumë cilësi, si në formacion ashtu edhe në stol, aq më tepër tashmë që edhe grupi duket më i konsoliduar dhe në rinisje të garës do të shohim një Bylis edhe më të fortë dhe me më shumë ambicie.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL