Bratu gati për t’u zyrtarizuar te Partizani, por s’do ta ketë të lehtë! Nga të huajt, vetëm Kolela e mbylli sezonin
Partizani pritet të zyrtarizojë shumë shpejt Florin Bratun si trajnerin e ri të skuadrës, duke vijuar kështu traditën e drejtuesve për t’i besuar pankinën një tekniku të huaj.

Gjatë presidencës së Gazment Demit, stoli i të kuqve është drejtuar nga disa trajnerë të huaj, të cilët kanë pasur jetëgjatësi dhe ecuri të ndryshme në krye të ekipit. I pari ishte braziliani Marcio Sampaio, i cili mori drejtimin e Partizanit në sezonin 2013-2014. Eksperienca e tij zgjati vetëm 13 ndeshje, duke qenë një nga aventurat më të shkurtra në historinë e klubit.
Dy vite më vonë erdhi italiani Andrea Agostineli, i cili qëndroi në stol për 20 ndeshje gjatë sezonit 2015-2016. Ai pati një periudhë më të gjatë se paraardhësi i tij, por nuk arriti ta mbyllte sezonin në drejtimin e skuadrës.
Në sezonin 2016-2017, drejtimin e mori një tjetër italian, Adolfo Sormani. Edhe aventura e tij e parë zgjati vetëm 13 ndeshje, përpara se rrugët e tij me Partizanin të ndaheshin.
Në sezonin pasardhës, radha ishte e ish-mbrojtësit të Juventusit, Mark Iuliano, i cili qëndroi në krye të të kuqve vetëm 11 ndeshje, duke regjistruar një nga eksperiencat më të shkurtra në pankinën e klubit.
Në sezonin 2019-2020, Partizani nisi kampionatin me italianin Franco Lerda, i cili drejtoi skuadrën në 23 ndeshje. Më pas drejtuesit vendosën të rikthenin sërish Adolfo Sormanin, i cili zhvilloi edhe 18 ndeshje të tjera në të njëjtin sezon.
Trajneri i huaj me eksperiencën më të gjatë dhe më të suksesshme mbetet italiani Xhovani Kolela. Ai drejtoi Partizanin në 42 ndeshje gjatë sezonit 2022-2023, duke e udhëhequr skuadrën drejt fitimit të titullit kampion, sukses që mbetet edhe trofeu i fundit i të kuqve. Pas largimit të Kolelës, drejtimin e mori kroati Zoran Zekiç, por aventura e tij zgjati vetëm 14 ndeshje, përpara se të largohej nga stoli i Partizanit.
Në sezonin 2024-2025, pankina iu besua serbit Aleksandar Veselinoviç, i cili qëndroi në krye të skuadrës për 26 ndeshje, duke pasur një eksperiencë më të gjatë se disa prej paraardhësve të tij. Sezoni i fundit nisi me serbin Mlladen Milenkoviç, por ai drejtoi ekipin vetëm në 6 ndeshje, duke regjistruar eksperiencën më të shkurtër mes trajnerëve të huaj të epokës Demi.
Tashmë radha pritet t’i vijë rumunit Florin Bratu, i cili është shumë pranë marrëveshjes përfundimtare me Partizanin.
PANORAMASPORT.AL













