“Bomba” nga Lushnja: Kampionat i paracaktuar, të ndryshojë formula
Formula e Kategorisë së Parë që po për doret prej katër sezonesh gjithnjë e më shumë po rezulton se ka qenë një zgjedhje e dështuar. Në fazën e tretë të kësaj formule që përdoret, rreth 70% e skuadrave nuk kanë më objektiva dhe i mbyllin llogaritë që dy muaj përpara. Një skemë ku sheh më shumë ndeshje të toleruara sesa të vërteta.

Aleancat dhe takime që kthehen në miqësore janë më se të zakonshme për një garë ku dihet skuadra që ngjitet në elitë. Fenomeni po bëhet gjithnjë e më shqetësues, ndërsa e njëjta histori po përsëritet edhe këtë sezon. Ndërkohë, kanë nisur të bëhen të përjavshme ndeshjet që u dihet rezultati ende pa nisur, ndërsa mungon gara e vërtetë.
Në një situatë të tillë, klubi i Lushnjës ka vendosur të reagojë zyrtarisht në lidhje me këtë çështje duke kërkuar publikisht ndryshimin e formulës. Verdhejeshilët kanë mbajtur një qëndrim zyrtar për fazën e tretë të kampionatit nëpërmjet sekretarit Edison Koçi. Ekzekutivi i verdhejeshilëve në deklaratën e tij thotë se është një formulë tërësisht e dështuar, që duhet të ndryshojë menjëherë. Koçi tha se fituesi paracaktohet, ndërsa Lushnja është skuadra më e dëmtuar.
AKUZAT
“Nuk është e vështirë për t’u kuptuar që faza e tretë ose faza ‘play-off’ është një dështim total. Lushnja është një ndër tri skuadrat që ka dalë plotësisht nga gara. Shikojmë një pretendent si Bylisi dhe një gjysmëpretendent si Besa që vazhdojnë garën. Për fat të keq, Lushnja është sulmuar që në fillim, gjë që ndikoi te pikët. Edhe në ndeshjen e parë të ‘play-off’-it, ne ishim skuadra që u sulmuam, u dënuam dhe u favorizua Bylisi.

Tani jemi në një situatë, ku interesimi është shumë i ulët. Po luajmë dhe një herë në dy javë, çka po e shton mungesën e interesimit që është thuajse zero. Futbolli ynë është i paracaktuar dhe kjo formulë vetëm e ndihmon. Mendoj që futbolli ynë ka nevojë për drejtësi dhe për ndryshimin e formulës”, deklaroi fillimisht Koçi në reagimin e tij. Më tej, Lushnja kërkon ndryshimin e formulës së kampionatit dhe rikthimit në sistemin e vjetër me dy faza, vajtje-ardhje.
PROPOZIMI
“Mendoj që duhet të përfshihen të gjitha skuadrat dhe jo të ketë ndarje në grupe, me këtë fazë të tretë që nuk sjell asgjë. Duhet të kthehemi në sistemin klasik vajtje-ardhje, siç ka qenë. Një ndryshim duhet të pësojë edhe sistemi i arbitrimit. Të paktën ne si Lushnjë jemi dëmtuar sistematikisht”, ka deklaruar sekretari i klubit të Lushnjës, Edison Koçi. Ndërkohë, lushnjarët vijojnë të përgatiten për ndeshjen e radhës me Orikum.

Në këtë fazë më së shumti do të shikohen lojtarë të rinj dhe më shumë po mendohet për sezonin e ardhshëm. Një prej klubeve pjesëmarrëse në garë reagon zyrtarisht dhe kërkon ndryshimin e formulës, ndërsa edhe ekipe të tjera e kanë kërkuar më parë një gjë të tillë. Vetëm FSHF hesht në lidhje me këtë çështje dhe ndeshjet janë bërë shumë qesharake nga java në javë. Pritet me shumë interes të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim.
ALBAN ALUSHI













