Bojkot për rrogat te Egnatia, futbollistët kërcënojnë se nuk do luajnë në fundjavë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2019 | 9:57

Bojkot për rrogat te Egnatia, futbollistët kërcënojnë se nuk do luajnë në fundjavë

Rikthehet bojkoti tek Egnatia. Ashtu si disa muaj më parë, lojtarët e skuadrës rrogozhinase po bojkotojnë seancat stërvitore prej dy ditësh, që prej së martës. E gjithë kjo për shkak të rrogave të pamarra. Burime të sigurta brenda ekipit kanë konfirmuar se futbollistët nuk janë paguar prej tre muajsh, janar shkurt dhe mars. Dhe në këtë situatë, lojtarët kanë vendosur që të mos dalin në stërvitje deri në shlyerjen e detyrimeve.

Egnatia

KËRCËNIMI Me përfundimin e marsit, lojtarët i shprehën shqetësimin drejtuesve të klubit të Egnatias në lidhje me rrogat e pamarra, ndërsa u bënë tri muaj. Drejtuesit i garantuan futbollistët se do të shlyheshin në javën e parë të prillit. Të hënën, lojtarët po mendonin bojkotin e stërvitjes, ndërsa u bindën të dilnin në fushë duke marrë garancinë nga drejtuesit e klubit. Pasditen e së hënës, ata patën një komunikim me shefin e klubit, Petrit Hazbiu, i cili nuk është treguar shumë i gatshëm për të zgjidhur këtë ngërç. Në këtë mënyrë, lojtarët janë mërzitur edhe më shumë dhe të martën vendosën që të mos dilnin në stërvitje. E njëjta situatë ishte edhe ditën e djeshme ku lojtarët nuk pranuan të stërviteshin nën drejtimin e trajnerit Bledar Sinella.

Burime brenda skuadrës kanë bërë të ditur se të gjithë lojtarët janë të bashkuar dhe u kanë bërë të ditur drejtuesve dhe stafit teknik se nuk do të zbresin në fushën të shtunën në ndeshjen e radhës me Lushnjën në transfertë nëse nuk shlyhen. Lojtarët kanë bërë të qartë se deri në momentin që në llogaritë e tyre bankare do të derdhen pagat e pamarra të tre muajve të fundit nuk do të udhëtojnë për të luajtur në Lushnjë. Edhe më parë gjatë këtij sezoni, futbollistët kanë bojkotuar një ditë seancën stërvitore në shenjë proteste për rrogat e pashlyera nga klubi.

Historia përsëritet, ndërsa këtë herë, situata duket më shqetësuese, ndërsa futbollistët janë të vendosur që të mos tërhiqen nga kërcënimi i tyre për të bojkotuar ndeshjen me lushnjarët. Skuadra ka dalë nga objektivat prej disa javësh, ndërsa ekipi vetëm respekton kampionatin dhe nuk ka më synime. Egnatia e nisi kampionatin si skuadër pretendente për ngjitjen në elitë, por me kalimin e javëve hoqi dorë nga ai objektiv.