Blutë e Dinamos presin Egnatian, u kujtojnë 6 golat dhe… qytetin
Dinamo do të zbresë të dielën në fushë ku do të përballet me kampionët e Egnatias. Takimi i javës së 16-të të Superiores, do të luhet në stadiumin “Air Albania”, aty ku blutë kanë kujtime të bukura këtë sezon, të paktën nga ndeshja e fundit.

Në derbi, Dinamo shkroi histori duke marrë një fitore të thellë me rezultatin 6-2 ndaj Tiranës, ndërkohë që këtë sfidë ia ka kujtuar edhe Egnatias. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Dinamo ka publikuar momentet më të bukura të sfidës së fundit në Tiranë, me mbishkrimin “Hera e fundit në ‘Air Albania'”.
Natyrisht që një sfidë e tillë, mund të ketë të tria rezultatet brenda, por te Dinamo janë të bindur se do të marrin fitoren e tretë radhazi, që për ta do të ishte edhe hera e parë këtë sezon, pasi deri më tani janë ndalur gjithmonë pas 2 ndeshjesh.
POSTIMET- Deklarata e Martinit në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos, duket se i ka motivuar këta të fundit që në postimet e radhës për ndeshje, të shprehin se janë skuadër që i përkasin Tiranës.
Kjo vihet re në postimet ku përmendet ndeshja e radhës ku së fundmi, në rrjete sociale shkruhet “Dinamo Tirana City”, duke treguar se klubi i përket Tiranës dhe jo Durrësit, siç është komentuar shpesh në opinionin sportiv, që shpesh herë ka sjellë edhe polemika e ironi nga rivalët.
PANORAMASPORT.AL













