Bizhdili “skanon” sezonin: Jemi superiorë, Bylisit i morëm pikë edhe kur luanim me 6 të rinj në formacion
Nexhat Bizhdili e quan punë të kryer fitoren me Bylisin. Sipas presidentit, Besa e tij ka një ekip më të mirë dhe këtë e kanë dëshmuar në dy fazat e para, duke mos pësuar asnjë humbje. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i verdhezinjve ka analizuar edhe ecurinë e deritanishme, ndërsa “qan” gabimet e bëra në shtëpi.

Si e vlerëson presidenti ecurinë e Besës deri në këtë fazë të kampionatit?
Besoj se kemi bërë mirë, po jo aq sa prisja. Them “mirë”, pasi mund dhe duhet të bënim më shumë. Janë disa ndeshje, sidomos në Kavajë, në të cilat kemi lëshuar pikë e sot i vuajmë këto gabime. Është jonormale që të barazosh në Kavajë me Pogradecin, Orikumin e të mundesh në Fier apo ndonjë ndeshje tjetër. Duhet të ishim të paktën 6 pikë para Bylisit sot dhe Superiorja duhet të ishte zgjidhur.
Sfida e radhës luhet kundër Bylisit…
Për këtë ndeshje skuadra ka filluar që të përgatitjet prej së hënës. Stafi teknik më ka konfirmuar se nuk ka asnjë mungesë, pra, asnjë të dëmtuar apo dënuar. Edhe vetë i kam ndjekur seancat stërvitore për t’i mbështetur. Do të jetë sfida ku do të tregojmë se kush jemi dhe sa meritojmë.
Në përballjet direkte me Bylisin jeni superiorë. A ju favorizon ky fakt për të shtunën?
Po normale, pasi Besa ka më shumë histori e përvojë sesa Bylisi. Ne e mundëm pastër në Kavajë 2-0 dhe në Ballsh luajtëm me lojtarë 18 e 19-vjeçarë, plot 6 të tillë në formacion dhe barazuam. Thënë ndryshe, në ballafaqimet direkte kemi dëshmuar se jemi superiorë në të gjitha drejtimet.
Tashmë gjërat kanë kaluar dhe luani përsëri kundër Bylisit. Çfarë prisni nga ky 90-minutësh?
Çfarë pres? Ajo dihet, vetëm fitore. Kemi ekip të kompletuar dhe të investuar për t’u rikthyer në Superiore. Për këtë objektiv ndërhymë në merkaton e janarit. Luajmë në fushën tonë dhe përballë tifozëve tanë. Besoj, mjaftojnë këta dy faktorë për të garantuar fitoren. Nuk mendoj tjetër rezultat veç triumfit. Kam bindje se kështu do të ndodhë.
Pra, sipas jush, Bylisi kot qenka në krye të klasifikimit?
Nuk e thashë këtë. Bylisi ka vlerat e veta dhe sigurisht mbetet një rival i denjë derisa është në krye të tabelës. Po tjetër të jesh rival e tjetër gjë të fitosh. E patë sesi Luftëtari mundi Partizanin apo Kastrioti mposhti Kukësin. Qoftë Partizani, qoftë Kukësi janë ekipet më të mira, por u mundën. Në këtë kuptim po e saktësoj: Besa nuk e nënvlerëson aspak Bylisin, përkundrazi e vlerëson. Por, besojmë fuqishëm se do ta mundim dhe kaq.
FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL













