“Besoj te kjo skuadër”, ja çfarë tha Shkëmbi para Tirana-Egnatia 0-4
Si zakonisht te Tirana kanë kompleksin që edhe pse emërohet një trajner, asnjë nuk prezantohet ditën e emërimit. E njëjta gjë ndodhi me Ahmatajn, Fagun, me Maganin dhe epokën 2 të Shkëmbit. Meqenëse trajneri nuk u lejua të fliste, gazeta po sjell mendimet e tij të publikuara pak orë para sfidës me Egnatian. Shkëmbi e ka parë ndeshjen me rrogozhinasit si vendimtare.
“Unë vazhdoj të mendoj pjesën që me skuadrën që ka, grupi duhet të bënte më shumë. Të paktën në pikë. Unë do të flas për situatën kur isha unë. E vërtetë është që nuk pata fat. Tani jam më i qetë se kur isha në skuadër. Në momente të veçanta kemi vuajtur nga arbitrat. E kam thënë disa herë këtë problem. Për fat të mirë tani dihet se ku do të luajë skuadra, në “Arena Kombëtare”, ndërsa në kohën time për fat të keq, për më tepër edhe për mënyrën sesi luanim apo doja unë të luanim, takimet i zhvilluam në fusha jo të mira. Nëse do të kishte më shumë durim, kjo skuadër të bënte më mirë dhe jam i bindur se kjo skuadër do të ecë përpara se është një ekip i mirë.
Skuadra është e re, dhe do kohë, sepse nuk ka eksperiencë në Superiore. Janë mbledhur 15 futbollistë nga fillimi për të luajtur në një kampionat goxha të vështirë dhe kjo është kryesorja. Do të ishte më e thjeshtë nëse do të kishte 2-3 fitore rresht. Tirana tani vuan në fundin e tabelës. Vuan pikët dhe kjo është e dukshme. Në futboll, kush ka luajtur e di mirë që triumfi nuk kërkohet me fjalë apo mend, por duhet t’u japësh këmbëve, duke pasur besim te vetja. Kjo është e vetmja mënyrë që mund të kalohet kjo situatë. Sulmuesi ose tipi i sulmuesit që ka marrë tani Tirana e kam dëshiruar edhe unë. Për fat të keq nuk e gjetëm.
Për Tiranën kjo forcë është plus. Në ndeshjen që pashë më pëlqeu. Plus që kanë ardhur edhe dy mesfushorë që duhet të kalojë pak kohë që t’i shohim, ndonëse te Tirana vetëm koha nuk pret. Skuadra duket më e plotësuar. Janë afruar disa lojtarë që edhe unë i kërkoja që në fillim si një mesfushor pas sulmuesit. Jo se nuk ka kohë dhe ndeshje, por ana psikologjike do të jetë shumë më e rënduar se ç’është në këtë moment. Jam i bindur që është e rënduar në këtë moment. Tani asgjë nuk mund të fshihet. Të gjithë e dinë se ana psikologjike te tani nuk është më e mira te Tirana”, deklaronte Shkëmbi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"