“Besoj se qëndrojmë në kategori”, sulmuesi i Skënderbeut: Në Laç, kënaqemi edhe me barazimin
Fitorja me Dinamon solli një rezultat pozitiv për Skënderbeun, që ka lënë fundin e renditjes.
Një fitore morali për korçarët, të cilët kanë përmirësuar ndjeshëm rezultatet e fundit, duke marrë plot trembëdhjetë pikë në ndeshjet e fundit. Për Ardit Nikajn këto rezultate përmirësojnë ndjeshëm pozicionin e skuadrës dhe kjo është diçka tejet pozitive sa i përket ecurisë sezonale. Në një prononcim të dhënë pas ndeshjes me Dinamon, shkodrani i Skënderbeut vlerëson paraqitjet e ekipit në ndeshjet e fundit, duke treguar grintë dhe forcë gare për të arritur objektivin e këtij sezoni.
“Ishte një fitore shumë e rëndësishme në një moment shumë delikat të sezonit, një fitore që i hap rrugën ekipit për të bërë më të mirën edhe në javët në vazhdim. E nisëm keq ndaj Dinamos, por trajneri na shkundi në dhomat e zhveshjes, duke na treguar se duhet të ndryshonim impenjim dhe qasje në këtë takim. Për fat të mirë kemi gjetur golin e barazimit shumë shpejt dhe më pas atë të avantazhit. Gjithçka u bë më e thjeshtë, pasi arritëm të shfrytëzonim në maksimum hapësirat që na krijoheshin dhe topin e shpejtë pas shpine, që mendoj se është një armë e fortë e jona. Jemi duke punuar shumë dhe po mundohemi të përmirësojmë ekipin në dy fazat e lojës. Kemi bërë një ndeshje të mirë me një mbrojtje solide dhe një kundërsulm të shpejtë dhe efikas. Ky besoj që ka qenë çelësi i suksesit për këtë takim. Por kemi lënë pas krahëve këtë sukses dhe jemi të përqendruar te ndeshja e javës për të punuar maksimalisht dhe ta përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi fillimisht sulmuesi i Skënderbeut.
LAÇI – Ndeshja e radhës në kampionat për Skënderbeun është ajo e transfertës ndaj Laçit në Kurbin, një ndeshje delikate dhe e vështirë përballë një kundërshtari direkt. Sipas Nikajt, edhe në këtë ndeshje ekipi duhet të bëjë mirë, për të marrë një rezultat pozitiv.
“Jemi të përqendruar për ndeshjen e radhës ndaj Laçit në kampionat, pasi e dimë se katër përballjet e fundit për ne do të jenë katër finale me një rëndësi të veçantë. Luajmë në transfertë ndaj një ekipi të fortë dhe kundërshtar direkt për garën finale të sezonit. Kjo do të thotë se duhet të jemi të përqendruar në maksimum dhe të bëjmë më të mirën për të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Fundi i sezonit është shumë i rëndësishëm, por ne do t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe me përqendrim maksimal”, theksoi Nikaj.
EKIPI- Skuadra duket se është rikthyer të funksionojë shumë mirë dhe po tregon efikasitet në çdo ndeshje, duke zhvilluar lojë të mirë dhe paraqitje dinjitoze. Për Nikajn kjo është si pasojë e rritjes së formës dhe përqendrimit të skuadrës pas daljes nga gjendja e vështirë psikologjike.
“Kemi kaluar atë ngërç psikologjik dhe tashmë jemi më të qetë, duke u shprehur më mirë në këto ndeshje të fundit. Ekipi ka arritur të ngrihet edhe fizikisht, duke u plotësuar në organikë me lojtarë cilësorë që po na ndihmojnë shumë. Kemi gjetur një kombinim të mirë edhe në sulm me lojtarët e tjerë të këtij reparti, pasi plotësojmë njëri-tjetrin në shumë komponentë. Jam i kënaqur që po kalojmë një moment të mirë dhe kjo është më e rëndësishme. Ndaj shpresojmë të vijojmë kështu deri në fund”, mbylli prononcimin e tij Ardit Nikaj, sulmuesi që po kalon një formë shumë të mirë te korçarët në majën e sulmit.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL













