Besëlidhja bie në fund, e mund Apolonia në basketboll. Zyrtarizohen çiftet e “play off”
Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka mbyllur sezonin e rregullt me zhvillimin e javës së 22-të. Kjo javë solli edhe ndalesën e parë në kampionat të Besëlidhjes, e cila kishte regjistruar vetëm fitore. Lezhjanët e Afrim Bilalit u mposhtën nga Apolonia në Fier me rezultatin 80- 68, në një ndeshje që kishte vetëm vlerë statistikore për kampionët e dy edicioneve të fundit në basketbollin shqiptar, duke qenë se ekipi verior e kishte hipotekuar prej javësh “play off”-in si vend i parë.

Pas një periode të parë që i pa lezhjanët ta mbyllnin me 4 pikë avantazh, më tej ishin fierakët ata që bënë më mirë, duke i marrë tre fraksionet e radhës, për të fituar në fund me +12 pikë, sukses që pozicionon Apoloninë në vendin e katërt. Njeriu i ndeshjes ishte amerikani Jaylen Bate, protagonist me 18 pikë e 14 asistime në suksesin e vendësve. Takim shumë i luftuar ishte ai i zhvilluar në Durrës ndërmjet Teutës dhe Vllaznisë, me shkodranët që triumfuan me rezultatin 93- 99.
Një përballje interesante me përmbysje dhe ri-përmbysje, i zgjidhur vetëm në minutat e fundit në favor të kuqebluve të Eni Llazanit. Më i miri për Vllazninë ishte David Murray, autor i 21 pikëve, ndërsa për Teutën nuk mjaftuan Donte Poëers me 34 pikë dhe Kristi Gorea me 12 pikë, 9 kërcime e 8 asistime. Skënderbeu kaloi pa probleme transfertën e Vlorës, duke fituar ndaj Flamurtarit me rezultatin 57-78. I gjithë formacioni titullar korçar e mbylli në dopioshifër pikësh, ndërsa për vendësit spikati Jalyn Williams me 22 pikë e 17 kërcime, por që mbetën vetëm për statistikë.
Në duelin zonës së ftohtë të tabelës, Fieri mposhti Partizanin në shifrat 69- 55. Brando Anyanwu udhëhoqi vendësit me 31 pikë, ndërsa për të kuqtë shënuesi më i mirë ishte Pëllumb Bisheva, autor i 18 pikëve.
Kujtojmë që java e 22- të u hap më 7 prill me takimin Elbasani-Kamza 80-112, ndërsa të premten Tirana fitoi kundër Pogradecit në transfertë me shifrat 71-114. Bardheblutë do të luajnë sot në orën 19:00 edhe ndeshjen e prapambetur kundër Skënderbeut në Korçë, një përballje që ka vetëm vlerë statistikore për të dyja ekipet, pasi tashmë janë zyrtarizuar edhe çiftet e “play off”-it. Kështu Besëlidhja dhe Tirana kalojnë direkt në gjysmëfinale, si vend i parë dhe i dytë i sezonit të rregullt, ndërsa në fazën e parë “play off” do të kemi duelet Vllaznia-Teuta dhe Apolonia-Skënderbeu.


ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













