Besa nuk do “blof” në Orikum, Miraka: Luajmë ndeshjen e sezonit
Besa nuk do “blof” në Orikum. Ky 90- minutësh është praktikisht më i rëndësishmi për kavajasit, pasi me një fitore do t’i ushtronin edhe më shumë presion Bylisit kryesues (që këtë javë e ka pushim prej kalendarit). Kjo i ka shtyrë verdhezinjtë të marrin rrugën që dje dhe të grumbullohen në Vlorë, për të qenë më të qetë. Gugash Magani për fat e ka grupin e plotë, ndaj nuk do të jetë i limituar për të ndërtuar formacionin më të mirë.

Portieri Festim Miraka është i bindur në vështirësinë e këtij takimi, por beson te pikët. “Nesër (sot) do të kemi transfertën më të vështirë për javët e mbetura të kampionatit. Orikumi ka në përbërje të tij futbollistë të Superiores, të cilët për vite me radhë kanë luajtur për Flamurtarin. Trajneri Gugash Magani i ka stërvitur dhe i njeh mjaft mirë, ndaj na e ka bërë të qartë se përqendrimi duhet të jetë maksimal në këtë sfidë. Kërkohet qetësi dhe besim deri në fund të 90 minutave. Orikumi nuk ka çfarë të humbasë dhe do të luajë lirshëm, ndërsa ne synojmë vetëm tri pikët. Ndaj, pres të jetë një ndeshje mjaft e fortë, e luftuar deri në fund. Gjatë gjithë javës ne jemi përgatitur për këtë përballje”, tha Miraka për gazetën.
LLOGARITË – Sikurse dihet, Besa synon Superioren dhe sfida e sotme vjen pikërisht një javë para asaj me Bylisin. Çfarëdolloj rezultati tjetër veç fitores mund t’u kushtojë verdhezinjve edhe objektivin e madh. Kujtojmë se ballshiotët aktualisht gjenden në krye dhe me 6 pikë më shumë. E në kësi kushtesh, kavajasit do të synojë të ngushtojnë me 3 pikë diferencën sot, e pastaj javën e ardhshme në Kavajë të marrin kryesimin. Në rast se ia del në Orikum dhe më pas përballë Bylisit, atëherë ekipet do të barazoheshin me pikë dhe rrjedhimisht misioni “Superiore” do të ishte më i mundshëm.













