Besa, arma plus në Kukës është Dragusha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2012 | 12:33

Besa, arma plus në Kukës është Dragusha

Alban Dragusha, i rikthyer në janar te Besa

Qendërmbrojtësi kosovar, Alban Dragusha, ishte një nga lojtarët që iu bashkua Besës në janar. Ai nuk është aktivizuar deri më tani pasi ka qenë i dëmtuar, por në sfidën e radhës ndaj Kukësit do të jetë titullar. Kthimi i tij në formacion do të jetë një plus i madh për Maganin. Përvoja e tij, qetësia dhe siguria si askush tjetër e Dragushës bëjnë që mbrojtja verdhezi të ketë postbllokun e saj. Qendërmbrojtësi çmon me nota mjaft pozitive ambientin dhe kushtet në të cilat do të luhet në Kukës. “Mjaft miq të mi kosovarë që e ndjekin enkas Kukësin më kanë informuar se atje luhet pa asnjë lloj presioni dhe atmosfera është mjaft e qetë. Kuksianët janë tepër mikpritës dhe tifozëria gjithashtu pajtohet me më të mirin, atë që jep fusha si verdikt. Është kjo arsyeja që unë besoj se Besa ndaj Kukësit do të marrë atë që meriton pa pasur frikë nga kushtet apo faktorë të tjerë”. Duke vijuar më tej, Dragusha shprehet: “Jemi të vetëdijshëm se na pret një ndeshje e vështirë. Kukësi këtë sezon ka dëshmuar se në shtëpinë e vet mbetet tejet i fortë. Ne me të vërtetë kemi tre mungesa, por nga ana tjetër kemi një stol solid, çka na bën optimistë se do të marrim maksimumin nga kjo transfertë”.
Feriz Ferizaj