BASKETBOLL/ “Play off”, Vllaznia dhe Apolonia arrijnë fazën gjysmëfinale
Vllaznia-Tirana dhe Apolonia-Besëlidhja janë çiftet gjysmëfinaliste të kampionatit kombëtar të basketbollit të meshkujve për edicionin 2025-2026.
Shkodranët dhe fierakët kaluan me sukses fazën eliminatore të “play off”-it, duke triumfuar me nga dy ndeshje përkatësisht kundër Teutës dhe Skënderbeut. Pasi kishin fituar me +45 pikë në takimin e parë në Shkodër, kuqeblutë i mbyllën llogaritë me durrsakët duke i mposhtur 86-89 (22- 25, 18-28, 19-23, 27-13) edhe në përballjen e dytë që u zhvillua të shtunën në pallatin e sportit “Ramazan Njala”.
Një sfidë e dominuar nga Vllaznia, e cila shkoi deri në +20 pikë, ndërsa Teuta provoi të afrohej vetëm në çerekun e fundit, por ishte shumë vonë. Njeriu i ndeshjes ishte Klajd Kiri, i cili për pak preku tripletën dyshifrore, duke udhëhequr Vllazninë me 17 pikë, 13 kërcime dhe 9 asistime. Shkëlqeu edhe treshja amerikane e miqve, Jayden Habbitt (25 pikë), Julian Bryant (19) dhe David Murray (18). Për Teutën nuk mjaftuan Donte Powers (28 pikë, 9 asistime) dhe Kristi Gorea (15 pikë, 9 kërcime), me durrsakët që pas shumë vitesh e shohin veten jashtë katër ekipeve më të mira në “play off”. Gjithçka e lehtë edhe për Apoloninë në përballjen e dytë kundër Skënderbeut, takim i luajtur në Pogradec.
Fieraket fituan me rezultatin 76-90 (14-24, 16-21, 23-28, 23-17) në një sfidë të cilën e kontrolluan më së miri. Për t’u veçuar ishte fakti se të dyja ekipet startuan pa asnjë shqiptar në formacion, ndërsa nga 165 pikët e realizuara gjithsej në këtë takim, vetëm 5 u shënuan nga basketbollistët, pikë që mbajnë firmën e Lionel Nasit për korçarët. MVP u shpall Djorkaeff Campbell, protagonist me 33 pikë e 9 kërcime për Apoloninë. Te Skënderbeu rendimentin më të lartë e kishte Brock Wakefield, autor i 19 pikëve, 10 kërcimeve dhe i 5 asistimeve, por që mbetëm vetëm për vlerë statistikore.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













