BASKETBOLL/ Peja-Ylli, finalja e madhe e Ligës Unike 2025-2026
Liga Unike e basketbollit të meshkujve vijon të jetë “ekskluzivitet” i skuadrave të Kosovës, të cilat edhe në këtë edicion do të luajnë për trofeun mbarëkombëtar. Peja dhe Golden Eagle Ylli kaluan me sukses gjysmëfinalet “Final 4”, fazë që po zhvillohet në sallën “Feti Borova” në Tiranë.
“Final 4” u hap pasditen e djeshme me gjysmëfinalen ndërmjet skuadrave të Kosovës, Pejës dhe Vëllaznimit. Pejanët triumfuan me rezultatin 82-67 (22-16, 16-19, 21-14, 23- 18) në një takim të dominuar në pjesën më të madhe të kohës prej tyre. Me pesë lojtarë në kuotë dyshifrore pikësh, rendimentin më të lartë te Peja e kishte Logan Routt, autor i 10 pikëve dhe i 7 kërcimeve, ndërsa shënuesi më i mirë ishte Dequian Bracey me 14 pikë.
Për Vëllaznimin nuk mjaftoi Ziggy Ried, i cili realizoi 17 pikë dhe 7 kërcime. Më tej, në mbrëmje ishte radha për gjysmëfinalen e dytë, me Besëlidhjen që sfidoi Golden Eagle Yllin. Skuadra kosovare doli fituese me rezultatin 63-76 (17- 18, 12-16, 13-22, 21-20). Ylli e menaxhoi më mirë takimin, ndërsa e bëri diferencën kryesisht në dy periodat qendrore. Protagonisti i madh në suksesin e Yllit ishte Scott Bamforth, autor i 30 pikëve, 5 kërcimeve dhe i 3 asistimeve.
Ndërkohë, për Besëlidhjen vetëm Trey Edmonds pati rendiment të lartë, duke e mbyllur me 23 pikë e 11 kërcime. Kjo ishte humbja e parë sezonale në të gjitha kompeticionet për Besëlidhjen, me lezhjanët që sot në orën 15:00 do të luajnë për medaljen e bronzit kundër Vëllaznimit. Më tej, në orën 18:00, do të jetë radha për finalen e madhe, Peja-Ylli, takim që do të vendosë kampionin e Ligës Unike 2025-2026.
PANORAMASPORT.AL













