BASKETBOLL MESHKUJ/ Titulli, Besëlidhja dhe Tirana shkojnë në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2026 | 10:51

BASKETBOLL MESHKUJ/ Titulli, Besëlidhja dhe Tirana shkojnë në finale

Besëlidhja dhe Tirana janë skuadrat finaliste të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në edicionin 2025- 2026.vLezhjanët dhe bardheblutë kanë kaluar me sukses gjysmëfinalet “play off”, duke i mbyllur seritë 3-0 me ndeshje, përkatësisht kundër Apolonisë dhe Vllaznisë. Kështu, trofeu do të vendoset mes dy ekipeve më të mira të sezonit të rregullt, me Besëlidhjen e vendit të parë dhe Tiranën që e mbylli e dyta.

Skuadra e Afrim Bilalit, kampione në dy edicionet e fundit, futet me statusin e favorites së madhe edhe në këtë seri finalesh, ndërsa nga ana tjetër bardheblutë e Erkand Karajit kërkojnë që të bëjnë befasinë. Kujtojmë që Besëlidhja dhe Tirana u përballën edhe tre vite më parë në finalet “play off”, në një seri shumë të nxehtë, me kryeqytetasit që arritën të përmbysnin nga 0-2 në 3-2, duke ngritur lart trofeun.

GJYSMËFINALET E TRETA Duke u kthyer te sfidat e treta “play off” të gjysmëfinaleve, Besëlidhja mposhti Apoloninë me rezultatin 95- 78 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Skuadra veriore u tregua superiore, por diferencën e bëri vetëm në pjesën e dytë, ndërsa shkëputjen vendimtare e realizoi në çerekun final. Kështu, takimi nisi me ritëm të mirë, teksa perioda e parë u mbyll 26-21 për vendësit.

Në periodën e dytë ishin fierakët që bënë minimalisht më mirë, duke e marrë 19-21, ndërsa ekipet shkuan në pushimin e madh në shifrat 45-42 për lezhjanët. Loja vijoi interesante edhe në çerekun e tretë, fraksion i fituar nga Besëlidhja 23-18, duke e çuar epërsinë në +8 pikë, 68- 60, pas 30 minutash lojë. Në çerekun e fundit lezhjanët do të aktivizonin “turbon”, për ta marrë 10-minutëshun 27-18, duke vulosur suksesin final 95-78, për të prerë kështu për vitin e katërt radhazi biletën që të çon në finalet “play off”.

Dalen Ridgnal, startues nga pankina, ishte lojtari me rendimentin më të lartë për ekipin e Bilalit, autor i 26 pikëve dhe i 9 kërcimeve. 26 pikë realizoi edhe Trey Edmonds, duke u shtuar gjithashtu edhe 8 kërcime. Për Apoloninë shënuesi më i mirë ishte Quincy Ademokoya, protagonist me 27 pikë. Në gjysmëfinalet tjetër, Tirana mposhti Vllazninë me rezultatin 87-81 në sallën “Farie Hoti”. Një tjetër klasike që dhuroi rivalitet dhe diferenca të ngushta, por bardheblutë u treguan sërish më të zotë, duke i mbyllur llogaritë 3-0 me ndeshje, për t’u shuar shkodranëve ëndrrën e titullit dhe yllit në fanellë.

Tirana mori periodën e parë 25-22 dhe të dytën 20- 17, duke shkuar në pushimin e madh në shifrat 45-39. Kuqeblutë u rikthyen duke dominuar në periodën e tretë, të cilën e morën bindshëm 13- 23, për të përmbysur në 58- 62 pas 30 minutash lojë. Megjithatë, kryeqytetasit arritën ta drejtonin ndeshjen në çerekun e katërt, duke u kundërpërgjigjur me +10 pikë, 29-19, për të hipotekuar triumfin final me +6 pikë, 87- 81, duke fluturuar për në finale. Johnathan Massie udhëhoqi Tiranën 31 pikë, 5 kërcime e po kaq asistime, ndërsa për Vllazinë ishte Justin Thomas shënuesi më i mirë, autor i 23 pikëve.

Tashmë, i gjithë fokusi do të jetë te finalet, me Federatën Shqiptare të Basketbollit që pritet të zyrtarizojë edhe axhendën e ndeshjeve. Besëlidhja do të futet për titullin e tretë në histori, ndërsa Tirana kërkon triumfin e 22-të.1

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL