BASKETBOLL MESHKUJ/ Nis faza play-off, Vllaznia dhe Apolonia drejt katërshes pa probleme
Vllaznia dhe Apolonia e kanë nisur më së miri fazën eliminatore të “play off”-it në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj. Shkodranët dhe fierakët shfrytëzuan faktorin fushë, duke siguruar fitore përkatësisht kundër Teutës dhe Skënderbeut.

VLLAZNIA-TEUTA – Në “Qazim Dervishi”, Vllaznia dhe Teuta zbritën në parket për të matur forcat për ndeshjen e parë. Pasi i kishin mundur disa ditë më parë edhe në Durrës për javën e fundit të sezonit të rregullt, kuqeblutë bënë të njëjtën gjë edhe në sfidën e parë eliminaore të “play off”-it. Skuadra e Eni Llazanit dominoi kundër Teutës, duke fituar me rezultatin e thellë 93-48.
Një takim ku vendësit ishin superiorë në të gjitha periodat, ndërsa e nisën duke marrë çerekun e parë 18-12, për të vijuar në 18-13 në çerekun e dytë, duke shkuar në pushim me avantazhin e përgjithshëm 36-25. Shkëputja vendimtare do të vinte në periodën e tretë, me Vllazninë që fitoi 31-6, për të thelluar në 67- 31 pas 30 minutash lojë. Çereku i fundit mbeti për statistikë, me kuqeblutë që e morën 26-17, duke vulosur suksesin përfundimtar me +45 pikë.

David Murray me 12 e pikë e 12 kërcime, Bradley George me 14 pikë e 9 kërcime, Jayden Habbitt me 18 pikë dhe Julian Bryant me 17 ishin katër amerikanët që udhëhoqën Vllazninë në suksesin e djeshëm. Për Teutën pikëshenuesi më i mirë ishte Darrius Hughes me pikë, i vetmi që mbërriti në dopioshifër.
APOLONIA-SKËNDERBEU – Më këmbë të mbarë i nisën eliminatoret e “play off”-it edhe fierakët, të cilët mposhtën në shtëpi Skënderbeun me rezultatin 84-76. Apolonia fitoi thellë periodën e parë 24-10, ndërsa korçarët morën të dytën 20-24, duke ngushtuar në 44-34 pas 20 minutash lojë. Fierakët fituan periodën e tretë 21-14, ndërsa e katërta shkoi në shifrat 19-28 për miqtë. Megjithatë, suksesi mbeti i salduar me +8 pikë për Apoloninë, e cila e shikon vetën më pranë gjysmëfinaleve.
Tripletë dyshifrore nga Isaiah Jackson (10 pikë, 12 kërcime, 15 asistime), mbështetur nga Quincy Ademokokya me 31 pikë dhe Austin Holt me 15 pikë e po kaq kërcime. Për Skënderbeun nuk mjaftuan Zoelin Pair me 14 pikë e 11 kërcime dhe Brock Wakefield me 22 pikë.

Të shtunën do të jetë radha për ndeshjet e kthimit, me Vllazninë dhe Apoloninë që janë një fitore larg gjysmëfinaleve.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













