BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja sheh titullin, fiton sërish ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2026 | 15:07

BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja sheh titullin, fiton sërish ndaj Tiranës

Besëlidhja është shumë pranë kurorëzimit për herë të tretë radhazi kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj. Lezhjanët kanë fituar edhe finalen e dytë “play off” kundër Tiranës, këtë herë në sallën “Feti Borova”.21

Skuadra veriore triumfoi me rezultatin 77-90, një sukses që erdhi me përmbysje. Besëlidhja tregoi se jo më kot është në fronin e sportit të koshit, duke realizuar një periodë të tretë shkëlqyer, për të menaxhuar më pas. Ndryshe nga takimi i parë në “Asllan Rusi”, i zhvilluar në fundjavë, këtë herë numri i tifozëve në sallë ishte më i pakët, ndërsa ajo që nuk ndryshoi ishte zgjedhja për dy arbitra nga Kosova si dhe uniformat, të cilat ishin sërish ato të gjykimit të Ligës Unike, duke sfiduar kështu rregulloret e kompeticionin më të rëndësishëm kombëtar.

Takimi startoi me disa aksione të shpërdoruara, ndërsa koshi i parë erdhi nga Samuel Skëndaj i Tiranës për 2 pikë. Perioda e parë i pa bardheblutë vazhdimisht përpara, por duke fituar minimalisht 19-18. Në çerekun e dytë skuadra e Erkand Karajit u shkëput deri në +10 pikë, por lezhjanët rikuperuan, duke e marrë 10 minutëshin 27-29, për të shkuar në pushimin e madh në shifrat 46-47.

Në pjesën e dytë ekipi i Afrim Bilalit shpërtheu, duke marrë çerekun e tretë 9-20, ndërsa administroi në të katërtin, ku fitoi 22-23, për të vulosur finalen e dytë me +13 pikë. Trey Edmonds me 25 pikë dhe Frenki Lilaj me 10 pikë e 12 kërcime udhëhoqën Besëlidhjen, ndërsa për bardheblutë shënuesi më i mirë ishte Johnathan Massie me 25 pikë. Sipas kalendarit të FSHB-së, të shtunën në orën 18:00 do të jetë finalja e tretë në “Asllan Rusi”, me Besëlidhjen që është vetëm një fitore larg titullit.
76

PANORAMASPORT.AL