BASKETBOLL/ Katër ekipet luajnë për trofeun, Liga Unike mëson sot finalistët
Liga Unike e basketbollit për meshkuj do të zhvillojë këtë mesjavë në Tiranë fazën “Final 4”, nga ku do të dalë edhe skuadra kampione e edicionit 2025-2026.
Në sezonin e rregullt nga Grupi A u kualifikuan Besëlidhja dhe Vëllaznimi, ndërsa nga Grupi B, Peja dhe Golden Eagle Ylli. Sot do të jetë dita e gjysmëfinaleve, ku në takimin e parë do të ndeshen dy skuadrat nga Kosova, Peja dhe Vëllaznimi, përballje që do të nisë në orën 16:00.
Më tej, në orën 19:00, sfida e dytë gjysmëfinale vendos përballë Besëlidhjen dhe Golden Eagle Yllin. Lezhjanët janë skuadra e vetme nga Shqipëria në katërshen e kompeticionit mbarëkombëtar.
Agjenda e “Final 4” do të vijojë nesër, ku fillimisht në orën 15:00 do të zhvillohet ndeshja për vendin e tretë, ndërsa në orë 18:00 do të jetë radha për finalen e madhe. Faza “Final 4” e Ligës Unike do të zhvillohet në sallën “Feti Borova” në Tiranë.
PANORAMASPORT.AL













