BASKETBOLL/ Festa për Yllin, mposht Pejën në finale dhe fiton Ligën Unike
Golden Eagle Ylli është kampion i Ligës Unike 2025-2026 në basketbollin e meshkujve, duke vijuar traditën e dominimit të skuadrave Kosovare në kompeticionin mbarëkombëtar.
Pasi kishte mposhtur Besëlidhjen në gjysmëfinale, Ylli triumfoi mbrëmjen e djeshme edhe në finalen e madhe kundër Pejës. Një triumf që erdhi në shifrat 80-74 (27-21, 19-20, 14-13, 20-20) në sallën “Feti Borova” në Tiranë. Scott Bamforth, protagonist me 22 pikë, 7 kërcime dhe 5 asistime, mbështetur nga Tyreek Smith me 13 pikë e 12 kërcime.
Ky është trofeu i dytë i Ligës Unike për Yllin, pas suksesit të arritur në edicionin e parë në vitin 2021, ndërsa Peja largohet nga Tirana me medaljen e argjendit, si nën-kampione mbarëkombëtare.
Ndërkohë, më herët, në orën 15:00 ishte parashikuar finalja e vogël për medaljen e bronzit ndërmjet Besëlidhjes dhe Vëllaznimit, por ashtu sikurse në sezonin e kaluar, edhe këtë vit takimi për vendin e tretë nuk u zhvillua.
Organizatorët njoftuan se fitorja iu akordua Besëlidhjes në tavolinë, duke qenë se skuadra kosovare vendosi mos ta zhvillojë këtë përballje. Kjo është medalja e dytë radhazi e bronztë mbarëkombëtare për lezhjanët, e cila vjen përsëri me rezultat tavoline.

PANORAMASPORT.AL













