BASKETBOLL/ Besëlidhja fluturon me 3 shifra, Tirana “zbërthen” Elbasanin
Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka kompletuar të shtunën javën e 21-të me pesë takime. Për Besëlidhjen kryesuese, siç parashikohej, fitorja ndaj Flamurtarit të vendit të fundit ishte një formalitet.
Lezhjanët triumfuan me rezultatin treshiftor 126-66 në “Asllan Rusi”, duke korrur suksesin e 20-të në po kaq ndeshje të zhvilluara në kampionat. Marvin Prodani me 7 pikë, 8 kërcime dhe plot 17 asistime spikati në radhët e kampionëve në fuqi, mbështetur nga Vinsent Grazhdani me 22 pikë e 9 kërcime, Dalon Dean me 23 pikë dhe Eldi Hysa me 11 pikë, 8 kërcime e 4 asistime. Për Flamurtarin nuk mjaftoi Jalyn Williams, autor i 22 pikëve dhe i 18 kërcimeve.
Gjithçka e thjeshtë edhe për Tiranën, me bardheblutë që “zbërthyen” Elbasanin me rezultatin treshifror 139-89 në sallën “Farie Hoti”, për të konsoliduar pozitat si forcë e dytë në kampionat. Me shtatë lojtarë në dopioshifër pikësh, vlerësimi MVP shkoi për amerikanin Josiah Jeffers, protagonist me 19 pikë, 6 kërcime dhe 6 asistime. Për Elbasanin mbeten për statistikë 30 pikët nga Triplett dhe 20 të Juelfs. Apolonia fitoi derbin përballë Fierin me rezultatin 87-60, në një ndeshje të kontrolluar pa probleme në të katërta periodat. Rendimentin më të lartë e kishte Austin Holt, i cili regjistroi 14 pikë e 12 kërcime, ndërsa 28 pikët nga Michael Green nuk shërbyen për Fierin.
Ndeshja më emocionuese e javës ishte ajo mes Skënderbeut dhe Teutës, takim i zhvilluar në Pogradec. Korçarët dolën fitimtare me rezultatin 101-98, pas një sfide me shumë rivalitet në të gjitha periodat. Brock Wakefield me 31 pikë e 11 kërcime dhe Linton Brown Jr me 30 pikë ishin lojtarët që udhëhoqën korçarët në këtë sukses të rëndësishëm, i pesti radhazi në kampionat. Për Teutën nuk mjaftuan 32 pikën nga Donte Powers dhe dopieta dyshifrore nga Kristi Gorea (16 pikë, 10 kërcime).
Në përballjen e fundit të tabelës, Partizani fitoi në transfertë kundër Pogradecit me rezultatin 82-89. Rei Xhullima ishte shënuesi më i mirë për të kuqtë, autor i 23 pikëve, ndërsa për liqenorët spikati Joshua Scott, autor i 24 pikëve, i 11 kërcimeve dhe i 7 asistimeve. Kujtojmë që java e 21-të u hap të premten me fitoren e Vllaznisë në transfertë kundër Kamzës me rezultatin 88-98.
PANORAMASPORT.AL













