BASKET/ Partizani në WABA League, trajnerja Bujari: Ëndërr e realizuar! Arritje për Shqipërinë, do të përfaqësohemi denjësisht
Është nënshkruar marrëveshja për pjesëmarrjen e Partizanit të basketbollit të femrave në “WABA League” 2026–2027 përmes një “wild card”.

Kështu, të kuqet bëhen klubi i 59-të që merr pjesë dhe Shqipëria vendi i 12-të që përfaqësohet në këtë ligë. Marrëveshja u nënshkrua në emër të “WABA League” nga Uros Kranjc, ndërsa delegacioni i Partizanit përbëhej nga e deleguara e klubit, Gera Bujari, trajnerja Erta Bujari dhe Dea Nelaj.
“WABA League”, ose Liga e Adriatikut, është një kompeticion i krijuar në vitin 2001, duke mbledhur ekipe elitare nga rajoni dhe më gjerë, ndërsa pjesëmarrjen historike në këtë event të rëndësishëm e ka komentuar për “Panorama Sport” trajnerja e Partizanit, Eliverta Bujari.
Erta, tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi. Partizani i vajzave do të jetë në “WABA League”. Si do ta komentoni këtë pjesëmarrje historike për basketbollin shqiptar?
Ky zyrtarizim është një ëndërr e realizuar. Jemi shumë të lumtur për këtë arritje, e cila vjen për klubin e parë shqiptar që merr pjesë në një kompeticion të tillë. Më vjen mirë për basketbollin shqiptar, veçanërisht për basketbollin e femrave. Kjo arritje vjen për të ndryshuar imazhin e basketbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ashtu siç shqiptarët kanë arritur standarde të larta në fusha të ndryshme, duhet të ndodhë e njëjta gjë edhe në sport.
Si ju erdhi ideja e pjesëmarrjes në këtë ligë?
Në fakt, janë bërë shumë përpjekje. Duke qenë se si unë, ashtu edhe Gera vijmë nga basketbolli i luajtur, kjo na ka ndihmuar të kemi kontakte me kolegë në Ballkan dhe kjo nismë për Partizanin dhe për basketbollin shqiptar na u besua ne.
A do të jetë në lartësinë e duhur Partizani për ta përballuar këtë aktivitet, duke qenë se bëhet fjalë për një kompeticion me nivel të lartë për realitetin e basketbollit shqiptar…?
Partizani e ka rritur nivelin në vazhdimësi, një nivel që erdhi shkallë-shkallë, që nga ngritja në Superiore, me fitimin e kupave të federatës, Kupës dhe Superkupës së kampionatit kombëtar, deri në kulmin e fitimit të Ligës Unike, si ekipi i parë shqiptar që e fitoi atë. Në bazën e tij, Partizani ka lojtaret më të mira të ekipit kombëtar shqiptar, si dhe një bazë të fortë lojtaresh të reja që kanë spikatur me grupmoshat në ekipet kombëtare. Patjetër që do të forcohemi edhe me lojtare të huaja nga rajoni dhe më gjerë për të pasur një pjesëmarrje dinjitoze, duke qenë se do të luajmë në një nivel të lartë.
Ndërkohë, Gera Bujari do të jetë përfaqësuesja e deleguar e Partizanit në “WABA League”…
Gera Bujari do të jetë e deleguara, e angazhuar edhe për organizimin e këtij aktiviteti për ekipin tonë, detyrë të cilën do ta përmbushë më së miri, duke qenë një natyrë korrekte dhe e detajuar. Në staf do të jenë femra, në mënyrë që puna të jetë sa më e organizuar (qesh).
Çfarë prisni që do t’i sjellë Partizanit dhe basketbollit shqiptar një përfaqësim i tillë?
Ne jemi ekipi i parë shqiptar që do të garojë në “WABA League”. Uroj që ky kompeticion të zgjojë edhe ekipet e djemve dhe të jetë një ogur i mirë për të thyer akullin dhe për t’u dhënë mundësi sportistëve tanë të rriten. Jam e bindur që do të përkrahemi nga të gjithë dhe ju ftoj të ndiqni Partizanin në këtë kompeticion.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













