BASKET MESHKUJ/ Besëlidhja kalon në Kamzë, bindin edhe Vllaznia me Tiranën
Pas pauzës 3-javore për ndeshjet e Kupës dhe për takimin e Kombëtares kundër Sllovakisë, basketbolli meshkujve është rikthyer për sfidat e sezonit të rregullt në kampionat.

Të shtunën dhe të dielën u zhvillua java e 17-të, një javë që vendoste përballë kryesisht ekipet e pjesës së sipërme të tabelës me ato të zonës së ftohtë. Nuk u shënuan surpriza, pasi favoritët në letër siguruan fitore edhe në parket. Besëlidhja vijon të marshojë me pikë të plota, teksa shënoi suksesin e radhës, këtë herë kundër Kamzës.
Megjithatë, ashtu sikurse u ndodhi edhe në mes-javë kundër Teutës në Ligën Unike, edhe këtë herë lezhjanët nuk e kishin të lehtë për të mbërritur te fitorja. Kampionët në fuqi triumfuan me rezultatin 78-84 (15- 20, 22-28, 21-16, 20-20) në sallën e Bathores në një përballje tejet interesante, me kamzalinjtë që në çerekun e fundit u afruan deri -2 pikë. Me pesë lojtarë në dopioshifër pikësh, Morris Stokes ishte shënuesi më i mirë për ekipin e Afrim Bilalit, autor i 21 pikëve. Kamzës nuk i mjaftuan Zachary Sawyer me 20 pikë dhe dopietat dyshoifrore nga Elijah Washington (12 pikë, 14 kërcime) dhe David Murray (13 pikë, 10 kërcime).
Vllaznia fitoi pa probleme në transfertë kundër Pogradecit në shifrat 72-98 (10-28, 13-25, 18-24, 31- 21). Jayden Habbitt me 24 pikë, 12 kërcime dhe 7 asistime, Julian Bryant me 19 pikë, 9 kërcime dhe 8 asistime, si dhe Sead Kopliku me 18 pikë ishin lojtarët që spikatën për shkodranët. Tirana fitoi kundër Flamurtarit në Vlorë me rezultatin treshifror 80-115 (16-25, 21-27, 23- 29, 20-34). Takim pa histori, i dominuar nga bardheblutë, për të cilët spikati Aleksis Nika, protagonist me 35 pikë, 9 kërcime dhe 3 asistime. Për vendësit u dallua Jalyn Williams, autor i 23 pikëve dhe 19 kërcimeve.
Gjithçka e thjeshtë edhe për Apoloninë, e cila shkatërroi Partizanin në shifra të rënda 108-52 (36-11, 36- 11, 16-12, 20-18). Quincy Ademokoya me 26 pikë dhe Jaylen Bate me 23 si dhe Isaiah Jackson me 10 pikë e 10 asistime udhëhoqën fierakët. Teuta nuk fali në shtëpi kundër Elbasanit, duke regjistruar fitore me rezultatin 93-74 (15-10, 27-12, 27-24, 24-28). Elios Kamenica (18 pikë) ishte shënuesi më i mirë për durrsakët, ndërsa për miqtë nuk mjaftuan Vacario Triplett (24 pikë, 7 kërcime) dhe Kade Juelfs (21 pikë, 9 kërcime).
Sukses treshifror për Skënderbeun në transfertën kundër Fierit me rezultatin 81-102 (23-29, 22-16, 14-28, 22-29), takim i luajtur në Vlorë. Për korçarët u dalluan Brock Campbell Wakefield me 23 pikë, 8 kërcime e 6 asistime, Linton Brown me 25 pikë dhe Zoelin Pair me 18 pikë e 15 kërcime. Për vendësit shkëlqeu Alexander Picard, por 30 pikët e tij mbeten vetëm për statistikë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













