BASKET/ Flamurtari dhe Tirana, një hap drejt finales

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2026 | 9:49

BASKET/ Flamurtari dhe Tirana, një hap drejt finales

Kampionati kombëtar i basketbollit për femra ka nisur dje fazën “play off” me dy gjysmëfinalet e para. Flamurtari dhe Tirana po projektojnë finalen e radhës mes tyre për trofeun më të rëndësishëm kombëtar në sportin e koshit, teksa kaluan me sukses provat e para gjysmëfinale.BFVlonjatet nuk e patën aspak të vështirë përballë Studentit në shtëpi, duke fituar me rezultatin e thellë 81-51 (22-6, 13-13, 33-11, 13-21). Ashtu sikurse pritej, kampionet në fuqi e dominuan ndeshjen dhe hodhën hapin e parë drejt kualifikimit, të cilin do të kërkojnë që ta mbyllin në raundin e dytë në Tiranë më datë 11 prill. Lojtarja e ndeshjes u shpall Bernarda Rreshpja, e cila në pjesën finale të sezonit ka hequr fanellën e Vllaznisë për të veshur atë të Flamurtarit. Rreshpja e mbylli takimin me 21 pikë, 6 kërcime dhe 2 asistime. Për Studentin shënueset më të mira ishin Dea Sali dhe Megi Spahiu, me nga 18 pikë secila.FL  Ndërkohë, në takimin e dytë të ditës, vëmendja u fokusua te derbi i kryeqytetit. Tirana nuk fali në fortesën e saj, duke e mposhtur Partizanin me rezultatin 73-62 në sallën “Farie Hoti”. Një ndeshje që dhuroi rivalitet, me vajzat bardheblu që e bënë diferencën në periodën e fundit. Kështu, sfida nisi me luftë të fortë sportive, e përkthyer me ekuilibrin e plotë në pikë, 19-19 në periodë e parë. Tirana bëri më mirë në çerekun e dytë, ku fitoi 17-11, për të kryesuar 36-30 pas gjysmës së ndeshjes.

Në periodën e tretë Partizani u rikthye fuqishëm në lojë, me vajzat e Eliverta Bujarit që madje arritën edhe të përmbysnin. Kështu perioda u mbyll 15-21 për të kuqet, ndërsa pas 30 minutash rezultati në tabelë shënonte 51-51. Në periodën e fundit skuadra e drejtuar nga Mirza Alibegaj mori kontrollin e lojës, për ta fituar thellë 10-minutëshin në shifrat 22-11, duke vulosur suksesin final me +11 pikë. Mackenzie Daleba me 16 pikë e 14 kërcime, Enisa Semanjaku me 10 pikë, 10 kërcime e 5 asistime, Myriam Lara me 12 pikë e 10 kërcime si dhe Kieara Baughman me 16 pikë ishin lojtaret që spikatën në suksesin e bardhebluve. Te Partizani nuk mjaftoi performanca super e kapitenes Ornela Lalaj, e cila e mbylli derbin me 19 pikë, 12 kërcime dhe 2 asistime. TR

Më datë 12 prill do të jetë radha e gjysmëfinales së dytë derbi, takim që do të luhet në “Asllan Rusi”.KA

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL