BASKET FEMRA/ Flamurtari “çarmatos” Partizanin në finalen e parë në Vlorë
Flamurtari nuk njeh rivalë në kampionatin kombëtar të basketbollit për femra, teksa pas një sezoni të rregullt të mbyllur me pikë të plota, vlonjatet po dominojnë në çdo aspekt edhe fazën “play off”.
Bregdetaret e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme serinë e finaleve, duke treguar menjëherë forcën kundër Partizanit, për të marrë avantazhin 1-0 me ndeshje. I mbështetur nga publiku i zjarrtë vendës, vajzat e Flamurtarin nuk falën në shtëpi dhe e nisën serinë me një sukses të thellë në shifrat 90-58.
Një takim pa histori, me Partizanin që mundi të rezistonte vetëm një periodë, me fraksionin e parë të mbyllur 21-20 për vendëset. Më tej takimi ishte vetëm në një drejtim, me bregdetaret dominuese në parket. Flamurtari vendosi distancat, duke marrë çerekun e dytë 18- 6, për të shkuar në pushimin e madh me epërsinë 39-26 në shifra të përgjithshme. Pjesa e dytë nuk ndryshoi asgjë, vetëm sa e rriti edhe më shumë avantazhin e skuadrës vlonjate, e cila i mori edhe dy periodat e radhës, 22-9 të tretën dhe 29- 23 të katërtën, duke vulosur suksesin finalan me +32 pikë në finalen e parë.
Ndeshje e shkëlqyer nga Adia Brisker, e cila nxori “rruar-qethur” të kuqet në këtë takim, duke udhëhequr Flamurtarin me 26 pikë, 8 kërcime dhe 3 asistime, për të merituar edhe vlerësimin MVP. Paraqitje shumë të mirë bëri edhe Phoenix Gedeon, autore e 17 pikëve dhe e 9 kërcimeve. Për Partizanin rendimentin më të lartë e kishin Ornela Lalaj, autore e 11 pikëve dhe e 9 kërcimeve si dhe Najiyyah Pack-Maddox me 15 pikë. Tashmë do të jetë radha e finales së dytë në Tiranë, me titulin kampion që siç dihet vendoset me tri fitore në një seri prej pesë finalesh.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













