Arifi: Penalltia më dha kënaqësi, por jo rezultatin që donim
Pas një ndeshjeje të luftuar, ku Teuta u largua pa pikë ndaj Elbasanit, një nga momentet më të spikatura për durrsakët ishte goli nga pika e bardhë i Ergis Arifit. Mes zhgënjimit për rezultatin dhe analizës së gabimeve, sulmuesi i Teutës ndalet për Panorama Sport për të folur mbi penalltinë e shndërruar në gol, atë që nuk funksionoi në këtë përballje dhe pritshmëritë për sfidën e radhës ndaj Bylisit.

Ergis, shënove nga pika e bardhë. Si e përjetove atë moment?
Ishte një moment përgjegjësie e madhe. E mora përsipër penalltinë me shumë besim dhe jam i lumtur që arrita të shënoj. Gjithsesi, do të kisha preferuar që goli të kishte vlejtur për rezultat pozitiv.
Çfarë mendon se nuk shkoi në humbjen ndaj Elbasanit?
Besoj se na mungoi përqendrimi në disa momente kyçe të ndeshjes. Bëmë disa gabime që na kushtuan dhe kundërshtari i shfrytëzoi mirë. Duhet të jemi më të kujdesshëm dhe më cinikë përpara portës.
Si është gjendja e skuadrës pas kësaj humbjeje?
Natyrisht që ka zhgënjim, por ekipi është i bashkuar. Po punojmë fort në stërvitje për të korrigjuar gabimet dhe për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.
Çfarë pret nga përballja e radhës ndaj Bylisit?
Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne futemi në fushë vetëm për fitore. Duhet të tregojmë karakter dhe të japim maksimumin për të marrë tre pikët. Tifozët i falënderoj për mbështetjen. Do të bëjmë gjithçka për t’i bërë krenarë në ndeshjet e ardhshme.
ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL













