Analiza/ Golat, e mira dhe e keqja e Partizanit gjatë këtij sezoni
Partizani do të ketë një sfidë të vështirë në Shkodër. Të kuqtë do të përballen me Vllazninë, që është një test i vërtetë në javën e tretë të Superiores.

Gjithçka nis prej orës 19:00 në “Loro Boriçi”. Pas dy javësh të luajtura, mund të bie në sy statistika e golave. Asnjë futbollist i Partizanit nuk ka shënuar emrin në listën e golashënuesve në 180 minuta lojë. Në të njëjtën kohë, porta për skuadrën e Mladen Milinkoviç është mbajtur e paprekur.
PA GOL- Partizani nuk ka pësuar gol në më tepër se 180 minuta. Sfida e parë me Vorën u fitua 1-0, ndërsa ajo ndaj Teuta u barazua pa gola. Dhe pse rivalët e të kuqve kanë pasur mundësitë e tyre në stadiumin “Arena e Demave”, topi nuk ka përshëndetur rrjetën. Qirko dhe prapavija e Partizanit kanë bërë si duhet detyrën. Fakt është në Shkodër do të ketë ndryshime, për shkak se Karlos Martinez dhe Saliu Sembene janë të dëmtuar. Për këtë do të jetë sfidë e vështirë, që në një transfertë të tillë, rrjeta të qëndrojë e paprekur.
AUTOGOLI- Partizani e fitoi minimalisht sfidën me Vorën, që nisi kampionatin. Rruga e rrjetës u gjet pas goditjes së dënimit, ndërsa Serjan Repaj ishte i pafat me autogolin e shënuar. Partizani nuk ka shkëlqyer me raste para portës duke konfirmuar vështirësitë që has në krijimin e rasteve. Ata që u krijuan, nuk u shfrytëzuan si duhet nga reparti i sulmit të Milinkoviç. Dhe pas dy javësh pushim, mbetet për t’u parë çfarë ka ndryshuar. Vllaznia ka mbrojtje me eksperiencë dhe po ashtu sulm të rrezikshëm. Sfidat e fundit mes dy skuadrave kanë prodhuar gola.
MIQËSORJA- Nëse më sipër flitet për një situatë ku Partizani nuk di të shënojë, por nuk mund të thyhet, miqësorja me Besën ishte pasqyrë krejt tjetër. Klubi i Kategorisë së Parë i shënoi plot tri herë “demave”, për të fituar takimin 3 me 2. Dy gola të shënuar ndaj kavajasve, po ashtu janë sinjal i mirë. I pari erdhi me Gjergji Koten nga goditja jashtë zone. Më tej ishte edhe goli i Skukës, që gjuajti si duhet me kokë pas krosimit të Da Silvës. Ky i fundit dha asistin për të dyja rastet.
PANORAMASPORT.AL













