Analiza e ish-sulmuesit, Xhambazi: Vetëm fitorja me Teutën e “ngjall” Skënderbeun
Teuta shihet si “treni i fundit” për të mbajtur gjallë shpresat për qëndrimin në kategorinë e më të mirëve për Skënderbeun. Pas humbjes së fundit në shtëpi dhe mungesës së reagimit në ndeshjet vendimtare, korçarët janë “të dënuar” të fitojnë me Teutën, nëse duan të kenë ende shanse mbijetese.
I këtij mendimi është ish-sulmuesi i njohur i Skënderbeut, Dhimitraq Xhambazi, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” thekson se ekipi ka nevojë për një trepikësh besimi, pasi është i rënduar moralisht nga mungesa e rezultateve. Për Xhambazin, ndeshja e shtëpisë ndaj Teutës është detyrim të fitohet: “Përtej asaj që ekipi ka bërë në dy ndeshjet e këtij viti, humbja ndaj Vllaznisë e rëndoi më shumë situatën në renditje.
Ekipi nuk reagoi si duhet, u dorëzua ndaj Vllaznisë, që diktoi gjithçka në Korçë. Ajo që rëndësi për momentin është dalja nga kjo situatë, ndaj mendoj se ndaj Teutës nuk duhet diskutuar rezultat tjetër veç fitores. Marrja e 3 pikëve heq ngarkesën e madhe psikologjike që lojtarët po e vuajnë në çdo moment në fushë. U pa edhe ndaj Vllaznisë.
Këtë e them, pasi ekipi ka treguar se cilësi ka, por ngërçi i rezultateve ka bllokuar lojën dhe finalizimin e aksioneve. Teuta është kundërshtari që duhet mundur nga Skënderbeun. Një fitore këtu do të mbante gjallë shpresat e ekipit për të lenë pas këtë moment të vështirë”, ka theksuar fillimisht Xhambazi.
MERKATO – I ndalur më pas te lëvizjet në merkato, ish-sulmuesi u shpreh se afrimi i dy lojtarëve nuk është i mjaftueshëm. Sipas tij, Skënderbeu ka nevojë edhe për të paktën dy afrime të tjera cilësore që të sjellin më shumë eksperiencë në grup.
“Merkatoja është një pikë e rëndësishme për çdo ekip. Edhe për Skënderbeun aq më shumë. Jam i mendimit që dy afrimet e kësaj periudhe kanë qenë të mirëmenduara dhe kanë treguar cilësi.
Nuk ka shumë alternativa cilësore në këtë moment. Ajo që unë e them me bindje është se ekipit i duhen edhe dy afrime të tjera në mbrojtje dhe në mesfushë për të pasur më shumë cilësi dhe eksperiencë. Nëse këto realizohen, sigurisht që ndryshon situata si në lojë, ashtu edhe në rezultate”, përfundoi Xhambazi.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"