Analiza e ish-lojtarit bardhekuq, Xhambazi: Skënderbeu është zgjuar, mund edhe Partizanin
Shtatë pikë në tri takime dhe mbi të gjitha afrimi me zonën e mbijetesës kanë sjellë një tjetër situatë në kampin korçar, që duket se po fillon të dalë nga vorbulla e zymtësisë, ku ishte zhytur prej kohësh. Barazimi me Elbasanin për nga mënyra sesi erdhi, mund të quhet një rezultat pozitiv për korçarët, që nuk dalin të humbur nga një transfertë e vështirë dhe për më tepër pas 30 minutash me një lojtar më pak në fushë.

Të gjitha këto tregojnë edhe për specialistët se ky ekip ka filluar të funksionojë si duhet dhe ka lënë pas momentin e vështirë. I këtij mendimi është Dhimitraq Xhambazi, ish-sulmuesi bardhekuq, që ka analizuar për “Panorama Sport” momentin në të cilin po kalon ekipi pas tri javëve të fundit të këtij sezoni.
“Është një moment i mirë dhe shpresojmë të vijojë kështu në këto ritme. Një ekip që ka marrë shtatë pikë në tri ndeshje dhe aq më tepër që ka fituar me Egnatian, me Bylisin ne transfertë, tregon më së miri se diçka ka ndryshuar për mirë në atë grup. Pas shumë javësh mund të themi se ekipi është më i qetë dhe shprehet lirisht në fushë duke rritur edhe nivelin e lojës dhe kjo është një tregues i mirë. Ajo që më ka bërë përshtypje është fakti sesi skuadra reagoi pasi ngeli me një lojtar më pak në ndeshjen kundër Elbasanit.
Një veprim i nxituar i Randit që skuadra diti ta menaxhojë më së miri sikletin e krijuar nga lojtari pas atij kartoni të marrë. Kjo tregon pjekuri dhe cilësi. Një ndeshje që edhe mund të humbej, por edhe mund të fitohej, prandaj besoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë. Megjithatë, kthesa tashmë është bërë fakt dhe presim që të vijojë po kështu deri në fund të sezonit”, theksoi fillimisht Xhambazi.
PARTIZANI – I pyetur se sa e rëndësishme do të jetë ndeshja e së hënës me Partizanin, ish-sulmuesi korçar theksoi se është ndeshje e rëndësishme si të gjitha të mbeturat deri në fund të kampionatit. Është e vështirë, e rëndësishme, por aspak përcaktuese, pasi kampionati ka ende shumë pikë në lojë dhe gjithçka është e rihapur.
“Nëse do të nisemi nga emrat e dy ekipeve, do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e vështirë, por në këto momente them se Skënderbeu është i avantazhuar. Partizani nuk po kalon aspak një moment të mirë, teksa siç e thashë, korçarët janë në moment pozitiv.
Mbetet për të parë sesi do të menaxhojnë ndeshjen brenda shtëpisë së tyre, që sjell edhe presion te lojtarët, sidomos para tifozëve. Besoj se Skënderbeu e ka cilësinë dhe momentin që të kalojë me sukses Partizanin. Por për mua kjo ndeshje nuk është përcaktuese. Janë shumë pikë në lojë dhe kampionati është më i hapur se kurrë. Kështu që qetësia do të jetë arma e fortë e ekipit, që kërkon të fitojë këtë ndeshje”, mbylli Xhambazi prononcimin e tij për gazetën.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL













