Alvarez lë pas tragjedinë dhe ribashkohet me Tiranën, mesfushori është forcë e shtuar për Nuhijun
Tirana u trondit thellë më 24 janar të këtij viti, kur vajza e mesfushorit të saj, Fredi Alvarez, ndërroi jetë. Humbja tragjike la një boshllëk të madh jo vetëm në jetën personale të lojtarit, por edhe në ambientin e klubit bardheblu, duke prekur të gjithë ata që e njohin mesfushorin dhe familjen e tij.

Pas një periudhe të vështirë, Alvarez ka rikthyer prezencën e tij në kryeqytet, rreth një muaj pas asaj ngjarjeje të errët. Lojtari vendosi të kthehet për të respektuar kontratën e tij dhe për të dhënë kontributin maksimal te Tirana në pjesën vendimtare të sezonit. Ky rikthim tregon forcën dhe përkushtimin e tij, pavarësisht dhimbjes së thellë që ka përjetuar.
Pak ditë më parë, mesfushori ndau një postim prekës në rrjetet sociale, ku shprehej për dhimbjen dhe humbjen e vajzës së tij. Ai shkroi: “Pikëllimi nuk ka orë, disa ditë dhemb sikur të kishte qenë dje, dhe në çdo moment kthehet një kujtim, dhe ai lëmshi në fyt të dhemb shumë”.
Mesazhi i tij tregoi se, edhe larg Shqipërisë, Alvarez po përpiqej të përballonte emocionet e dhimbshme dhe të gjejë forcë për të vazhduar. Ai ka qëndruar gjatë në Kosta Rika që nga fundi i muajit të kaluar, duke kaluar ditë të vështira dhe duke u përgatitur për të rikthyer energjinë e tij te Tirana.
30-vjeçari u afrua te Tirana në fillim të janarit, dhe rikthimi i tij pritet të sjellë një impuls të rëndësishëm për ekipin, i cili ka pritshmëri të larta ndaj mesfushorit. Përveç cilësive teknike, prania e Alvarez ka rëndësi edhe për motivimin dhe unitetin e skuadrës, duke u shndërruar në një mbështetje të fuqishme në fushë dhe jashtë saj.
Rikthimi i tij shënon një moment emocional për klubin bardheblu, duke treguar se pavarësisht sfidave personale, profesionistët e vërtetë vazhdojnë të kontribuojnë dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj skuadrës dhe tifozëve. Alvarez do të jetë një nga figurat kryesore që Tirana do të mbështetet për të arritur objektivat e këtij sezoni dhe për të rikthyer skuadrën në nivelet më të larta.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













