Albers Keko provohet në vend të Bintsukës, goli në Kupë i jep formacionin 23-vjeçarit te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2025 | 9:26

Albers Keko provohet në vend të Bintsukës, goli në Kupë i jep formacionin 23-vjeçarit te Partizani

Pasi ka hequr “stresin” e Kupës, duke u kualifikuar për në gjysmëfinale të këtij kompeticioni, Partizani kërkon të kthehet te fitorja edhe në kampionat.KekoPesë ndeshje pa fitore janë shumë për të kuqtë, të cilët mbajnë vendin e 4-t pas 26 javësh, 9 pikë para Elbasanit. Pikërisht me këtë ekip, kryeqytetasit do të ndeshen nesër në Elbasan, ku humbja është e ndaluar, sepse, në të kundërt, do të krijonte një lloj rreziku për “Final 4”. Minimalisht skuadra e drejtuar nga Arbër Abilaliaj duhet të marrë një barazim për të ruajtur distancën që ka me Elbasanin. Kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës mund të shërbejë si motivim për të kuqtë, për të lënë plotësisht pas krahëve momentin e vështirë që po kalonin dhe që solli edhe largimin e trajnerit Veselinoviç.

KEKO – Trajneri Abilaliaj duket se ka vendosur të bëjë ndonjë ndryshim për sfidën e nesërme, sa i takon sulmit. Ai gol i shënuar ndaj Laçit në mesjavë duket se i ka dhënë Albers Kekos një fanellë titullari kundër Elbasanit. Kjo është ideja e stafit teknik të Partizanit, që kërkon ta shohë këtë lojtar në majë të sulmit, apo të “pykës”, siç quhet rëndomtë në gjuhën e futbollit. Nëse konfirmohet kjo lëvizje, atëherë në stol do të ulet Bintsuka, kurse dy lojtarët që do të plotësojnë sulmin janë Taipi dhe Gudjufi. Një lëvizje ndoshta pak e guximshme për të lënë jashtë formacionit Bintsukën, por çdo gjë mbetet për t’u parë. Keko është aktivizuar deri tani në 20 ndeshje kampionati, por vetëm 7 herë nga minuta e parë dhe ka shënuar 2 gola. Me lëvizjet e bëra në merkaton e dimrit, ku Partizani shiti dy sulmuesit Mba dhe Cara, reparti i avancuar u desh të ribëhet. Peshën kryesore e ka mbajtur Bintsuka deri tani, ndërkohë që nga të ardhurit në janar është aktivizuar si titullar bjellorusi Podstrelov. Ky i fundit pritet që ndaj Elbasanit të luajë në të djathtë të mesfushës, ndërsa në të majtë do të pozicionohet Atanaskoski.

MBROJTJA – Abilaliaj preferoi mbrojtjen me 3 lojtarë në Kupë ndaj Laçit dhe gjasat janë që e njëjta gjë të ndodhë edhe në kampionat me Elbasanin. Preka, Domgjoni dhe Sembene pritet të luajnë nga minuta e parë në këtë rreshtim. Kur Sembene u ndëshkua me karton të kuq ndaj Laçit, Abilaliaj hoqi nga fusha Taipin dhe aktivizoi Bytyçin, një tjetër qendërmbrojtës.

PANORAMASPORT.AL