Albano Aleksi për Guinness, paguan për t’u kthyer nga dënimi dhe pezullohet menjëherë
Java e 32-të e kampionatit pritet të vijë me mungesa të rëndësishme për disa skuadra, për shkak të pezullimeve nga kartonët e verdhë të akumuluar. Disa prej futbollistëve kyç do të detyrohen të qëndrojnë jashtë, duke ndikuar drejtpërdrejt në planet e trajnerëve në këtë fazë vendimtare të sezonit.

Tek Elbasani, mungesat janë të dyfishta. Arsen Kasa dhe Xhonatan Lajthia kanë plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do të jenë të gatshëm për sfidën e radhës. Këto mungesa mund të ndikojnë në balancat e skuadrës, sidomos në repartet ku ata kanë qenë të aktivizuar rregullisht.
Edhe Bylisi do të duhet të bëjë llogaritë pa Adeduro Olamilekan David, i cili gjithashtu është pezulluar për shkak të katër kartonëve të verdhë. Një mungesë që vjen në një moment delikat për ekipin.
Situata paraqitet më e ndërlikuar te Egnatia, që humbet dy lojtarë: Albano Aleksi dhe Zamig Alijev. Veçanërisht rasti i Aleksit është interesant. Mesfushori kishte paguar për të shlyer pezullimin dhe u lejua të luante kundër Tiranës, por në atë sfidë u ndëshkua sërish me karton të verdhë. Si pasojë, ai nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen ndaj Flamurtari, duke krijuar një boshllëk të rëndësishëm në mesfushë.
Ndërkohë, edhe Vllaznia do të vuajë mungesën e Esat Malës, një tjetër lojtar që plotësoi limitin e kartonëve dhe do të mungojë në këtë javë. Me kampionatin që po hyn në fazën më vendimtare, çdo mungesë peshon më shumë se kurrë. Skuadrat do të detyrohen të gjejnë alternativa, ndërsa këto pezullime mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet dhe objektivat e tyre sezonale.
PANORAMASPORT.AL













