Akuza e drejtpërdrejt, legjenda Sokol Kushta pas vendimit: Fondet e sportit nuk shkojnë për vlonjatët
Flamurtari nuk do të përfitojë asnjë lekë nga Bashkia e Vlorës as në Kategorinë e Parë. Për të 13 vit radhazi, kuqezinjtë do të vijojnë të financohen nga Sinan Idrizi. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi në formën e subvencionit 110 milion lekë të vjetra por me destinacion për Orikumin që së bashku me Flamurtarin në sezonin e ri futbollistik do të militojnë në Kategorinë e Parë.

Por sporti kthen sërish debatet në Këshillin Bashkiak të Vlorës. Legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta që është edhe anëtar i këshillit, bën thirrje që të gjendet një zgjidhje e shpejt për ligjin e privatizimit të sportit, pasi i druhet mos shprehjes së ligjshmërinë nga Prefektura e Vlorës. Por sipas Kushtës, bashkia duhet të bëjë më shumë për mbështetjen e sportistëve vlonjatë, pasi lekët po i marrin të huajt.
“Unë isha midis raportit të monitorimit dhe kësaj shtesës. Fatkeqësia jonë të paktën e Komisionit të Arsimit, Kulturës dhe Sporteve nuk mblidhemi. Pastaj ne duhet të kalojmë raportin, të kalojmë lekët, pa pyetur dhe pa dëgjuar. Nëse ne do të kalojmë lekët, secili flet…Unë flas për futbollin, doktoresha për qitjen, të flasim për Vlorën. Të gjitha fondet venë diku tjetër. Fondet që ne japim si këshilltarë le të venë pak më mirë për sportistët, për të gjithë pjesën tonë të Vlorës. Por ne shpërndajmë lekë dhe ato venë për sportistë amerikanë. Nuk dëgjova as tek raporti, por as këtu, ajo palestra e qytetit që ka dy vjet që u bë, sot është jashtë përdorimit. Ka njeri që e merr përsipër. Janë dy vjet dhe është gjynah. Nëse ne do mendojmë secili për sportet është gjë e mirë, por ne duhet të jemi koshientë që ne jetojmë në kapitalizëm. Të gjithë kanë halle për sportet dhe absolutisht që kanë halle. Por ne duhet të stimulojmë pjesën “bio” vlonjate. Hajde t’u japim mundësinë këtyre njerëzve tanë që të rrisin cilësinë që nesër të mburremi ne si Vlorë.
Tjetra…Ne i kalojmë Orikumit, shumë mirë. Është një ekip i një komuniteti shumë të vogël që po ka nderon me vajtjen në Kategorinë e Parë. Lekët, unë dua që nesër, bëra një muhabet edhe me zotërinë drejtorin e financave që lekët të mos na kthen në Prefekturë. Ana ligjore është e sigurt Hiqmet? Unë dua që lekët të kalojnë dhe mos të ngecin për anën ligjore. Jemi dakord që të ngremë kartonin dhe të mos na kthehet? Edhe ajo sjell përshtjellim, sepse fillon faza përgatitore tek ai ekip. Për disa nga këto gjëra dua përgjigje për atë të vlonjatizimit e dua më shumë. Disa fonde nga bashkia duhet që të jenë për sportistët vlonjatë”, shprehet fillimisht Kushta.
REAGIMI I BASHKISË – Por situata sqarohet nga drejtori i financave në Bashkinë e Vlorës, Hiqmet Haxhaj. “Sa i përket Orikumit, Bashkia Vlorë është pronare e asaj shoqërie. Përderisa nuk është privatizuar Bashkia është poseduese, nuk mund të lërë një pronë të saj pa i zhvilluar. Në këtë koncept jemi të detyruar që të financojmë. Kjo është ana ligjore. Unë nuk mund ta lë atë pronë në mëshirën e fatit. Janë të sigurta që do venë. Janë të miratuara për Orikum. Ndërsa sa i përket palestrës së qytetit është mbajtur garancia sa e lejon ligji 5%”, përfundon Haxhaj.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













