Administratori Lici: Për Vllazninë jemi kërcënuar me armë, do gjejmë sponsor në… Katar
Kërcënimet me armë te Vllaznia duket se janë kthyer në një problem shqetësues. Akuza të tilla janë përmendur më parë nga lojtarë të akademisë, ndërsa këtë herë është vetë administratori i klubit kuqeblu, Suad Lici, që e përmend një fakt të tillë. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të klubit të mbajtur dje, Lici ndër të tjera ka thënë:

“Ne kemi bërë një marrëveshje me akademinë më të njohur në Nigeri dhe kemi shkuar atje për të bërë atë marrëveshje kur në Shkodër ishim nën trysninë e kallashnikovit dhe këtë nuk e kemi bërë për shtëpitë tona, por vetëm për Vllazninë. Jemi në negociata për të sjellë lojtarë të Kombëtares U-21 të Nigerisë te Vllaznia. Sa i përket akademisë Vllaznia, nuk është e vërtetë se nuk ka bazë materiale. Akademia nuk i mbulon shpenzimet e veta sepse vetë pjesëmarrja e ekipit U19 në Ligën e Kampioneve na ka kushtuar rreth 40 milionë lekë të vjetër dhe të ardhurat nuk janë më shumë se 25 mijë euro, ndërsa UEFA na dërgoi shtesë 3 mijë euro sepse ia kërkuam dhe i shpjeguam gjendjen ekonomike. Dhe ata bënë një përjashtim vetëm për këtë rast”, deklaroi Lici.
SPONSOR NGA KATARI Në fjalën e tij, administratori i Vllaznisë foli edhe për të ardhmen e klubit. “Do tentojmë që gjatë 2019-ës të jemi sa më shumë të pavarur nga Bashkia Shkodër sa u përket fondeve për Vllazninë. Drejtori sportiv që kemi ka shumë njohje në Emiratet e Bashkuara Arabe. Do të tentojmë që të gjejmë një sponsor shumë të fuqishëm në Katar, por tani është ende herët dhe nuk preferoj që të jap emra. Shpresoj që sponsori që do gjejmë jo vetëm të shlyejë borxhet e Vllaznia sh.a, por edhe të sigurojë që skuadra të jetë pjesëmarrëse në Kupat e Europës. Ne do të kërkojmë që të bëjnë një Vllazni ndryshe, një Vllazni interesante që të pëlqehet nga tifozët dhe nga të gjithë dhe po ashtu të jetë edhe një ekip ndryshe. Pjesëmarrja në Kupat e Europës është e vetmja mundësi që Vllaznia të dalë nga situata e vështirë dhe të përparojë, ndryshe do vazhdojmë të jemi në të njëjtat ujëra siç kemi qenë vitet e fundit”, deklaroi administratori Lici.













